Calzada: Respekt për CR7, por huazimi është kundër logjikës

- Bota Sot

Calzada: Respekt për CR7, por huazimi është kundër logjikës

Al Hilal ka përjashtuar çdo mundësi që të ketë në ekip Cristiano Ronaldo.

Në prag të ndeshjes së parë të kupës së botës për ekipe, drejtori i skuadrës shprehet se është absurde të mendohet ideja për të marrë lojtar nga kundërshtarët

Drejtori ekzekutiv i Al-Hilal, Esteve Calzada, ka hedhur poshtë çdo mundësi që Cristiano Ronaldo të bashkohej me klubin nga Riyadhi për Kupën e Botës për Klube, duke theksuar se një lëvizje e tillë “do të ishte tërësisht kundër logjikës”. Komentet vijnë pas raportimeve për një huazim të mundshëm të 40-vjeçarit portugez, i cili ndodhet në fund të kontratës me Al-Nassr dhe është rivali më i madh i Al-Hilal.

“E respektojmë Ronaldon si një lojtar të madh, por do të ishte absurde të merrnim lojtarin më përfaqësues të kundërshtarit tonë më të madh, vetëm për 3-4 javë”, u shpreh Calzada për BBC Sport. “Nëse mendon vetëm për këtë turne, rrezikon të marrësh një vendim që të kushton për dy ose tre vite.”

Al-Hilal, që ka emëruar së fundmi Simone Inzaghin si trajner, nuk ka bërë blerje të mëdha para turneut në SHBA. Calzada pranoi se ishte një merkato e pazakontë, me shumë lojtarë që mendërisht ishin “në pushime” ose kërkonin shuma të mëdha. “Skuadra jonë është shumë konkurruese, dhe pas turneut do të shikojmë në merkato tradicionale për përforcime.”, tha ai.

Duke folur nga Miami, ku Al-Hilal do të përballet me Real Madridin në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube, Calzada komentoi edhe për emra të tjerë që kanë qenë të lidhur me klubin si Bruno Fernandes, Darëin Núñez apo Victor Osimhen.

“Nuk tërhiqemi nga negociatat sepse mendojmë që dikush do të na refuzojë.

Kemi ambicie të mëdha, por kërkojmë edhe dëshirë nga vetë lojtarët. Nuk mund të paguajmë çdo çmim, nuk printojmë para!”, shtoi drejtori i Al Hilal.

I pyetur për blerjen rekord të Neymar, që u largua pas vetëm shtatë ndeshjesh për shkak të një dëmtimi të rëndë, Calzada nuk shfaqi pendesë. Ai theksoi se ai ndihmoi në rritjen globale të klubit, duke shtuar se kanë 42 milionë ndjekës në rrjetet sociale dhe shumë prej tyre kanë qëndruar edhe pas largimit të Neymar.

Al-Hilal e përfundoi sezonin në vendin e dytë në Arabinë Saudite, tetë pikë prapa kampionëve të rinj të Al-Ittihad, ndërsa u eliminua në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve të Azisë. Shkarkimi i Jorge Jesus u pasua nga emërimi i Inzaghit, vetëm pak ditë pasi humbi finalen e Champions-it me Interin ndaj PSG-së.



Read it all at Bota Sot