21 vjeçari, i cili planifikoi sulmin në ish-shkollën e tij në Graz të Austrisë ku mbetën të vrarë 9 nxënës, prej tyre një vajzë nga Kosova dhe një mësues, sipas policisë ishte i magjepsur nga të shtënat në shkolla.
Por, megjithatë, motivi që e çoi deri në këtë sulm mbetet i paqartë, njofton policia e Austrisë.
“Ai lavdëroi jo vetëm aktet në përgjithësi, por edhe autorët që i kryen këto akte”, deklarojnë nga policia.
Sipas hetuesve, personi i armatosur kishte planifikuar sulmin me shumë kujdes. Derisa gjatë një kërkimi në shtëpinë e tij, policia kishte gjetur plane për sulm me eksploziv dhe bombë tubi jofunksionale.
Ndryshe, nëntë nga njëmbëdhjetë personat e plagosur në sulmin e javës së kaluar mbeten në spital, gjendja e të cilëve nuk është kritike.