Lionel Messi nuk e fshehu gëzimin e tij pas takimit me heroin e Italisë, Roberto Baggio, dhe marrjes së fanellës së tij si dhuratë. “Ti je një legjendë e futbollit.”
Dyshja u takuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku skuadra e Messit, Inter Miami FC, po merr pjesë në Kupën e Botës për Klube të FIFA-s.
Kapiteni i Argjentinës pozoi me Baggion dhe fanellën e nënshkruar të Italisë, e cila kishte dizajnin e Kupës së Botës 1994 – gjithashtu e zhvilluar në SHBA.
“Çfarë pamjeje e mrekullueshme! Faleminderit, Roberto, për këtë dhuratë kaq të veçantë dhe domethënëse dhe për bisedën e këndshme që ndamë,” shkroi Messi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
“Ti je një Crack dhe një legjendë historike e futbollit. Është gjithmonë kënaqësi të të mirëpresim kurdo që dëshiron të na vizitosh!”
Fjala “Crack” në spanjisht përdoret për të përshkruar një lojtar të jashtëzakonshëm.
Baggio fitoi Topin e Artë dhe çmimin FIFA Best Men’s Player në vitin 1993, si dhe dy tituj të Serie A, një Kupë të Italisë dhe Kupën UEFA.
Ai e çoi Italinë në finalen e Kupës së Botës 1994 dhe ishte pjesë e skuadrës që zuri vendin e tretë në Kupën e Botës 1990.
I njohur me nofkën “Bishti Hyjnor” për shkak të modelit të flokëve të tij në vitet ’90, Baggio grumbulloi 56 ndeshje me Italinë, duke shënuar 27 gola dhe dhënë 14 asistime.
Disa vite më parë, Baggio kishte deklaruar se lojtari me të cilin do të donte më shumë të ndante fushën ishte pikërisht Leo Messi.
“Leo Messi është më i miri në botë. Kur vendos të shënojë, ai thjesht e bën. Do të doja shumë të kisha luajtur krah tij. Madje, do të doja edhe sot".