Vllaznia drejt “Elbasan Arena”

- Bota Sot

Vllaznia drejt “Elbasan Arena”

“Lufta” mes Vllaznisë dhe Bashkisë Shkodër duket se është mbyllur me një fund të lumtur. Ndërsa drejtuesit e klubit kuqeblu kanë njoftuar zhvendosen e ndeshjes së Conference League në “Elbasan Arena”, Bashkia Shkodër ka reaguar duke njoftuar se koncerti i parashikuar për tu zhvilluar në “Loro Boriçi” do të zhvendoset para Bashkisë Shkodër.

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri:

Të dashur tifozë të Vllaznisë dhe qytetarë të Shkodrës,

Sot jemi përballë një realitet të dhimbshëm:

KF Vllaznia, për herë të parë në historinë e saj 106-vjeçare, nuk do ta zhvillojë në Shkodër ndeshjen ndërkombëtare për Kupat e Europës.

Kjo është një plagë për sportin, për qytetin dhe për të gjithë ata që ndihen pjesë e kësaj historie.

Mbas komunikimeve të pandërprera me FSHF dhe UEFA kanë sugjeruar që në këtë situatë nuk kemi zgjidhje tjetër vetëm se të luajme në një stadium tjetër të liçensuar .

Jemi detyruar ta zhvendosim ndeshjen në Elbasan Arena, për shkak të një vendimi të njëanshëm dhe të pashpjegueshëm të Bashkisë Shkodër, e cila ka vendosur që të zhvillojë koncert në stadiumin “Loro Boriçi”, duke shpërfillur çdo marrëveshje zyrtare , duke injoruar plotësisht klubin, insitucionet zyrtare te futbollit Shqiptar, çdo paralajmërim dhe mbi të gjitha, duke injoruar interesin e qytetit.

KF Vllaznia është udhëhequr në këtë situatë nga një parim i vetëm: të mbrojë dinjitetin e klubit dhe të mos lejojë që për hir të eventeve të përkohshme të cenohet emri dhe serioziteti i tij në arenën ndërkombëtare.

E them me bindje: ky nuk është vendim përçarës, por vendim i pjekur, i matur dhe i drejtë.

Jam i bindur që çdo autoritet që ndjek me kujdes zhvillimet në vend, do ta kuptojë qartë ku qëndron përgjegjësia.

TIFOZË TË VLLAZNISË – KOHA PËR T’U BËRË NJË!

Ne do të luajmë në Elbasan, por me zemrën në Shkodër.

Ejani të gjithë bashkë, me zërin dhe ngjyrat kuqeblu, që të tregojmë qytetari dhe ta mbështesim djemtë tone si asnjeherë tjetër në rrugetimin tonë Europian

Vllaznia është krenaria jonë dhe nuk përkulet para askujt!

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci:

Të nderuar bashkëqytetarë!

Këto ditë jemi të gjithë dëshmitarë të një debati artificial, e qartazi të nxitur nga interesa personale, lidhur me përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi” në realizimin e koncertin e Mjeshtrit të Madh Bujar Qamili.

Me stafin e bashkisë kemi bashkëpunuar me shumë dëshirë pêr të krijuar mundésinë e një koncerti tê vecantë, për njé nga artistët më të rendësishëm të këngës popullore shkodrane, dhuratë për gjithë artdashësit. Sigurisht duke pasur parasysh funksionin kryesor sportiv të stadiumit, organizimi i koncertit është menduar në mënyrë të tillë që të mos cënojë në asnjë mënyrë fushën, si dhe stadiumi të jetë në gjendje optimale për ndeshjet ndêrkombëtare të Vllaznisë.

Njëkohësisht, kuptoj se njê valë informacionesh të pavërteta rreth dëmit që mund t’i sjellë stadiumit organizimi i koncertit, ka shqetësuar jo pak tifozë të Vllaznisë.

Njerëzit shpesh e kanë të thjeshtë të përfshihen nga tymnaja që kërkon ta cojë vëmendjen në frikëra të panevojshme, kur s’ka mundësinë të përballet me ato reale.

Koha është gjithmonë e duhura për të treguar cfarë është realisht problem e cilët janë qëllimet që nxisin palët në këto qëndrime kundërshtuese.

Por, si drejtues  i Bashkisë Shkodër,  nuk kam asnjë dëshirë që, edhe në mënyré të paqëllimshme, organizimet e institucionit që ju më keni dhënë privilegjin të drejtoj, të shfrytëzohen për të krijuar ndasi apo përballje artificiale.

Me tagrin që më jep detyra, por mbi të gjitha me dëshirën e fortë që festa e dikujt të mos krijojë shqetësime te askush tjetër, dua t’ju njoftoj se ne do ta zhvendosim koncertin, në oborrin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shkodranë, para Bashkisë Shkodër. Duke i uruar suksese Vllaznisë në aventurën europiane, ju ftoj të gjithëve të jemi pjesë e koncertit madhështor të këngëtarit Bujar Qamili,  në mbrëmjen e  21 qershorit.

Le të shërbejë ky koncert edhe si ogur i mirë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë  simbol i qytetit tonë.

Jam i sigurt që do të jetë një mbrémje e paharrueshme!



Read it all at Bota Sot