Bastoni: Nuk iki nga Interi

- Bota Sot

Bastoni: Nuk iki nga Interi

Në ambientet e kampusit sportiv në Los Anxheles, ku Interi po qëndron për Botërorin për Klube, mbrojtësi i skuadrës, Alesandro Bastoni, foli për ndjenjat dhe atmosferën që mbretëron te ekipi zikaltër. “Nuk është e lehtë, por puna jonë na detyron të rikthehemi, të shohim anën pozitive të asaj që kemi arritur gjatë sezonit që po mbaron dhe më pas të fillojmë një cikël të ri”, tha Bastoni.

“Gjithçka që duhet të bëjmë është të sjellim entuziazëm të ri”. Mbrojtësi italian theksoi dëshirën e fortë për revansh pas humbjes së thellë në finalen e Champions-it.

“Sigurisht që kemi dëshirë për t’u rikthyer, sepse në perceptim duket sikur ka kaluar një jetë nga ajo natë në Mynih. Ne jemi mësuar të rikarikohemi, të nisim nga e para, sepse edhe kur arrin rezultate pozitive, gjithmonë duhet të lësh mënjanë të shkuarën dhe të japësh më të mirën në të tashmen.

Nga ky këndvështrim, përparësia jonë është të harrojmë atë natë të zezë, të përqendrohemi në rrugën që na çoi deri atje dhe të marrim mësimet pozitive të këtij sezoni. E kemi pyetur veten pse ndodhi ashtu në Mynih, sepse çdo njeri e kërkon përgjigjen për momentet jo të mira. Nuk kam ende shpjegim për atë natë, por fatmirësisht ky profesion na jep mundësinë të nisemi nga e para. Jemi të uritur për sukses dhe duam të bëjmë sa më mirë”.

LARGIMI I MUNDSHËM- “Unë mbetem këtu, nuk shkoj askund. Mynihu ishte një goditje e rëndë dhe mbetet e tillë, por në të njëjtën kohë duket sikur ka kaluar shumë kohë. Kjo është bukuria e punës sonë, që na detyron gjithmonë të shohim përpara”.

NDRYSHIMI I TRAJNERIT- “Këto janë gjëra që ndodhin në botën tonë. Ciklet nuk janë të pafundme, dhe përgjegjësitë ndahen mes lojtarëve dhe trajnerëve.

Duhet të jemi të gatshëm për këtë. Kivu më ka impresionuar menjëherë si njeri. E njihja nga stafi i ekipit të të rinjve, dhe këtu ai ka vënë theksin te rruga dhe gjërat e mira që kemi bërë. Ndoshta na duhej të dëgjonim këto fjalë, në aspektin njerëzor ai më ka impresionuar shumë”, tha Bastoni.



Read it all at Bota Sot