Trent Alexander-Arnold ka shprehur njëfarë zhgënjimi pas barazimit të Real Madridit me Al Hilal.
“Ka njëfarë zhgënjimi që nuk e fiton ndeshjen. Ky është mentaliteti që duhet ta kesh si lojtar”, tha ai për mediat.
Mbrojtësi anglez theksoi se, si lojtar i Real Madridit, pritshmëritë janë gjithmonë të larta.
“Si lojtar i Real Madridit, duhet të dëshirosh dhe të presësh të fitosh çdo ndeshje,” u shpreh ai.
Për disa minuta, Trent iu përgjigj pyetjeve në spanjisht, por më pas kërkoi të vazhdonte në anglisht.
“Tani në anglisht, ju lutem. Është e vështirë të përqendrohem kaq shumë kur flas spanjisht”, tha me buzëqeshje.
Pavarësisht rezultatit, ai e quajti ditën e djeshme të veçantë për karrierën e tij.
“Të debutoj për Real Madridin është diçka që pothuajse çdo lojtar ëndërron. Ta arrij këtë është shumë e rëndësishme për mua,” theksoi Trent.
Në fushë, ai tregoi një paraqitje të mirë, duke qenë aktiv si në mbrojtje, ashtu edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Një nga aksionet që ai nisi nga krahët çoi në golin e vetëm të Real Madridit në ndeshje, duke dëshmuar ndikimin e tij në lojë.
Debutimi i Trent Alexander-Arnold me fanellën e bardhë të Madridit, ndonëse pa fitore, la shenja pozitive për të ardhmen e tij në ekip.