Administrimi i tokës nuk është vetëm çështje teknike, por edhe ekonomike dhe sociale

- Bota Sot

Administrimi i tokës nuk është vetëm çështje teknike, por edhe ekonomike dhe sociale

Është mbajtur takimi i Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës dhe Infrastrukturës Kombëtare për Informacionin Hapësinor në Republikën e Kosovës.

Në këtë takim u diskutuan hapat strategjikë në administrimin e tokës dhe rëndësia e infrastrukturës hapësinore për zhvillimin ekonomik dhe ligjor të vendit.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, theksoi rëndësinë e angazhimeve të Komitetit që nga themelimi i tij në vitin 2022.

“Tashmë kemi mbajtur një sërë mbledhjesh të rëndësishme, andaj është me rëndësi që të vazhdojmë t’i kryejmë detyrat që kemi përpara, veçanërisht identifikimin e politikave dhe çështjeve strategjike”, tha ai.

Ndërsa, sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Izedin Bytyqi, vuri në pah dimensionet e shumta që përfshin administrimi i tokës.

Administrimi i tokës nuk është vetëm çështje teknike, por po ashtu është edhe çështje ekonomike dhe sociale. Është edhe garantues i sigurisë ligjore për pronën, edhe mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies qytetare. Pa sistem të mirëfilltë të administrimit të tokës nuk mund të kemi planifikim të drejtë e zhvillim të barabartë apo qasje të drejtë”, tha Bytyqi.

Ai bëri të ditur se Kosova tashmë është në fazën e zbatimit të një prej projekteve më madhore të dekadës së fundit.

“Sot jemi në fazën e zbatimit të një prej projekteve më madhore dhe gjithëpërfshirëse të dekadës së fundit: projektit të ndërtimit të kadastrës që po realizohet në 115 zona kadastrale në 32 komuna të Kosovës. Ky projekt është duke u zhvilluar me ritëm të lartë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, theksoi progresin në aspektin legjislativ dhe tekniko-praktik të reformës kadastrale.

“Ndryshimi sa i përket sistemit për kadastrën, hyrja në fuqi edhe e udhëzimeve administrative në bazë të këtyre reformave, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka nxjerrë edhe dy udhëzues të punës: udhëzuesin për matjen, ndryshimin dhe regjistrimin e njësive kadastrale në sistemin kadastral në Kosovë, gjithashtu edhe udhëzuesin për rindërtimin e informacioneve kadastrale”, tha Ahmeti.

“Këtë vit, ritmi i punës është shumëfishuar me qenë se shumë projekte janë realizuar,” përfundoi ai.



Read it all at Bota Sot