Është dita e prezantimit të trajnerit të ri të Italisë. Pas humbjes në Oslo ndaj Norvegjisë, FIGC vendosi të shkarkojë Luciano Spallettin dhe më pas zgjodhi Gennaro Gattuson si pasuesin e tij.
Trajnerit kalabrez, kampion bote në vitin 2006, i është besuar misioni për ta çuar Italinë në Botërorin e ardhshëm.
Në fjalën hyrëse, gjatë prezantimit, ai nënvizoi:
“Është një ëndërr që bëhet realitet, shpresoj të jem në lartësinë e duhur.
E di që detyra nuk është e lehtë, por në jetë asgjë nuk është e lehtë. Unë dhe stafi im e dimë që ka shumë për të punuar, por jemi të bindur se mund të bëjmë një punë të madhe.
Duhet të punojmë, të shkojmë të flasim me lojtarët, të hyjmë në mendjen e tyre. Kam dëgjuar prej vitesh që thuhet se nuk ka më talent në Itali, por unë besoj se lojtarët ekzistojnë. Duhet vetëm t’i vendosim në kushtet e duhura për t’u shprehur në maksimum.
Objektivi është ta rikthejmë Italinë në Botëror. Kjo është thelbësore për ne dhe futbollin tonë”.