Borussia Dortmund po shqyrton mundësinë për ta rikthyer Jadon Sancho në “Signal Iduna Park” gjatë kësaj vere, raporton “TeamTalk”.
25-vjeçari aktualisht pa të ardhme të qartë, është kthyer te Manchester United pas përfundimit të huazimit te Chelsea, edhe pse klubi londinez kishte një detyrim blerjeje prej 25 milionë paund në marrëveshje.
Megjithatë, “Blutë” vendosën ta kthejnë lojtarin në “Old Trafford”, ku duket se Ruben Amorim nuk llogarit në të për sezonin e ardhshëm. Kjo ka bërë që Sancho të gjendet në një pozitë të vështirë, i padëshiruar nga dy klube të mëdha.
Dortmundi, ku Sancho shkëlqeu përpara se të transferohej te United në vitin 2021, është i gatshëm t’i ofrojë një rrugëdalje, duke planifikuar transferimin e tij në mënyrë të përhershme këtë verë.
Manchester United e vlerëson kartonin e Sancho-s rreth 30 milionë euro, ndërkohë që interesim për të kanë shfaqur edhe disa klube nga Arabia Saudite.
Në anën tjetër, Jamie Gittens, që aktualisht luan si anësor i majtë për Dortmundin, pritet të largohet dhe t’i bashkohet Chelseat, pavarësisht se të dy klubet nuk kanë arritur ende një marrëveshje të plotë përpara fillimit të Kupës së Botës për Klube.