Benitez: Mendje gjeniale, mosha 34-vjeçare s’ka fare rëndësi

- Bota Sot

Benitez: Mendje gjeniale, mosha 34-vjeçare s’ka fare rëndësi

Ish-trajneri i Napolit, Rafael Benitez, ka folur për “Gazzetta dello Sport” lidhur me nisjen e fuqishme të merkatos së Napolit: “Është ende herët për të bërë parashikime, por nëse vendos De Bruyne në atë skuadër, që tashmë është e fortë, bëhet shumë e qartë se po bën gjithçka që mundesh.

Napoli i dy titujve në tri sezone është pjesë e një kulture sipërmarrëse që lidhet drejtpërdrejt me pronësinë, pra me De Laurentiis. Ai solli risi, e transformoi dhe zhvilloi futbollin, duke e bërë klubin një garanci në nivele shumë të larta”,

De Bruyne ishte një goditje e papritur e kampionëve të Italisë: “Do të thosha se është shumë e lehtë për një njeri të kinemasë, por duhet të kesh rreth vetes njerëzit e duhur. Nuk e njoh personalisht drejtorin Manna, flasin shumë mirë për të, pastaj Conte sigurisht që nuk ka nevojë për komplimente. Në profesionin tonë flasin faktet, jo vetëm rezultatet, por edhe kultura e futbollit që përçon”.

Çfarë i shton De Bruyne Napolit: “Një talent jashtë normales. Ka pak si ai në dekadat e fundit, mjafton të shikosh statistikat e belgut për gola dhe asiste.

Është e varfër të flasësh thjesht për një mesfushor, kemi të bëjmë me një mendje gjeniale që s’i intereson fare fakti që ka 34 vite mbi supe. De Bruyne është inteligjencë e gjallë, elegancë, finesë, gjithçka që mund ta çojë lart një skuadër si Napoli, e cila kurrë s’ka pasur mungesë talentesh”.

Emri i tij është lidhur më parë me kombëtaren e Belgjikës dhe më pas me atë të Italisë: “Kjo më bën të lumtur, sepse do të thotë që puna ime ka lënë gjurmë dhe është marrë parasysh, qoftë edhe vetëm si reflektim. Aktualisht po punoj me UEFA-n, gjë që më argëton dhe më jep kënaqësi.

Po ndjek ndryshimet në çdo drejtim, si teknikisht, ashtu edhe taktikisht, me stafin tim qëndroj gjithmonë i përditësuar mbi lojtarët. Nuk rri në vend, do të ishte një gabim i madh. Nuk dua të mbetem pas, synoj të jem gjithmonë i përditësuar”.



Read it all at Bota Sot