Thomas Muller duket në formë të mirë dhe në humor të mirë në këto ditë të para të Kupës së Botës për Klube.
Ai thjesht nuk mund ta linte pa e bërë këtë asist: “Jemi vërtet të emocionuar”, u përgjigj legjenda e bavarezëve me të qeshur pas fitores 10-0 kundër Okland Sitit, kur u pyet nëse mezi prisnin të luanin kundër Boka Xhuniors.
Shakaja ishte si një asist për një gjuajtje “pa portier” dhe menjëherë ai shpjegoi pse ishte kaq i emocionuar që do të luante kundër gjigantëve argjentinas.
“Të luash kundër Bokas në Majami është vërtet e veçantë. Atmosfera do të jetë edhe më e nxehtë edhe më interesante. Mezi pres dhe do ta shohim pjesën tjetër”. Boka, në fakt, është tjetër kalibër. Një kundërshtar që, në terma sportivë, ndoshta renditet i treti në grup, por tifozët e të cilit të apasionuar do të krijojnë një atmosferë të shkëlqyer.
Dhjetëra mijëra amerikanojugorë jetojnë në Majami dhe mbështesin ekipin kryesor argjentinas – kështu që atmosfera ka të ngjarë të jetë e nxehtë, e zhurmshme dhe pasionante. Kjo është arsyeja pse edhe trajneri Vinsent Kompani e pret me padurim ndeshjen.
“Ndeshja e radhës kundër Boka Xhuniors do të jetë kulmi i fazës së grupeve.
Është një përballje e vërtetë klasike – një klub tradicional evropian i nivelit të lartë takohet me një klub legjendar nga Amerika e Jugut – tha ai me entuziazëm – Edhe nëse nuk do të isha trajner i Bajernit, patjetër që do të doja ta shikoja këtë ndeshje. Premton të jetë diçka shumë e veçantë”. FIFA – Por nuk është vetëm Bajerni që mezi pret ndeshjen.
Sipas “TZ”, ndeshja shihet me mjaft interes edhe nga vetë FIFA, organizatorja e Kupës së Botës për Klube. Pasi ndeshja hapëse e turneut në Majami, si dhe ndeshja e parë e ekipit të Mynihut në Sinsinati, gjeneruan pak entuziazëm, dueli midis Bokës dhe Bajernit në metropolin e Floridës më në fund pritet të jetë një sukses i vërtetë edhe për sa i takon shitjes së biletave.