Mrekullia e fundit ndodhi fare në fund.
Ishte një portier nga Maroku fajtori kryesor që Reali nuk pati start fitues në Kupën e Botës së Klubeve në Shtetet e Bashkuara.
Jusuf Bono priti penalltinë e gjuajtur nga ylli uruguajan, Valverde, duke mbrojtur rezultatin 1-1 për ish-kampionen e Arabisë Saudite, Al Hilal.
Gardiani 34-vjeçar, siç thekson edhe platforma televizive “DAZN”, njëra nga ato që transmeton Botërorin, nuk e ka për herë të parë.
Përkundrazi, ai mund të cilësohet si specialist nga 11 metra.
E përditshmja spanjolle “Marka” shkruan se Bono ka pritur 3 nga 6 penalltitë e fundit, dhe se mund të cilësohet si më I miri në botë në këtë specialitet.
Askush nuk e harron atë që bëri në Kupën e Botës në 2022 në Katar, duke ndihmuar Marokun të eliminonte Spanjën favorite madje që në raundin e dytë.
Pas barazimit pa gola në 120 minuta, afrikanët kaluan me shifrat 3-0 me penallti.
Bono ndaloi gjuajtjet e yjeve iberikë Soler dhe Sergi Buskets.
Tridhjetekatërvjeçari e ka treguar veten edhe gjatë këtij sezoni tek Al Hilal duke pritur dy penallti, njërën në kampionati dhe një tjetër në gjysmëfinalen e Championsit të Azisë, humbur 1-3 ndaj kampiones së ardhshme, ekipit tjetër saudit, Al Ahli.
Në total, ai ka 8 11-metërsha të pritur nga 51 gjithsej, me një mesatare mjaft të mirë.