KEK thotë se Njësia A3 është rikthyer në operim, KEDS apelon për kursim të energjisë elektrike

- Bota Sot

KEK thotë se Njësia A3 është rikthyer në operim, KEDS apelon për kursim të energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se sot kanë rikthyer në operim Njësinë A3 e cila të enjten ishte ndalë në mënyrë të paplanifikuar, por pavarësisht rikthimit të kësaj njësie në operim, KEDS përmes një njoftimi për media u ka bërë apel qytetarëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike pasi janë njoftuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë gjatë këtyre ditëve dhe në vijim.

KEK thekson se aktualisht njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se njësia A3 e Termocentralit ‘Kosova A’ e cila dje ishte ndalur në mënyrë të paplanifikuar, është rikthyer në operim sot, më 19.06.2025, rreth orës 08:00.

Rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit ‘Kosova A’, të cilët kanë punuar pandërprerë, përfshirë edhe ndërrimin e tretë. Procesi i startimit ka filluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar rreth orës 08:00. Aktualisht, njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile.

KEK sh.a. do të vazhdojë të informojë me transparencë për çdo zhvillim që ndikon në operimin e njësive dhe furnizimin me energji”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Por, pavarësisht rikthimit në operim të Njësisë A3, KESCO u ka bërë apel qytetarëve për aplikim të menjëhershëm të masave për kursim të energjisë elektrike.

“KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, thuhet në njoftim.

Sipas KESCO-s, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar.

“Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike.

Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, thuhet në reagim. 



Read it all at Bota Sot