Dënohet me 22 vjet burg rusja që i ndihmoi ukrainasit të iknin nga lufta

- Bota Sot

Dënohet me 22 vjet burg rusja që i ndihmoi ukrainasit të iknin nga lufta

Një aktiviste ruse, e cila ndihmoi për mbledhjen e ndihmave humanitare për Ukrainën dhe për evakuimin e ukrainasve nga zonat e luftës u dënua të premten me 22 vjet burg nga një gjykatë ushtarake në Moskë, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA.

Nadezhda Rossinskaya, e njohur edhe si Nadin Geisler, udhëhiqte një grup të quajtur “Ushtria e Bukurive”, i cili ka thënë se u ka asistuar rreth 25 mijë njerëzve në pjesët e Ukrainës që kontrollohen nga Rusia në vitet 2022 e 2023, sipas një raporti të vitit të kaluar të gazetës “The Moscow Times”, raporton agjencia "Reuters".

Autoritetet e kishin arrestuar aktivisten në shkurt të vitit të kaluar dhe më vonë e kishin akuzuar për tradhti dhe ndihmë për aktivitete terroriste për një postim të cilin thanë se ajo e kishte bërë në rrjetin “Instagram”, ku bëri thirrje për donacione për Batalionin “Azov” të ushtrisë ukrainase.

Prokurorët kishin kërkuar 27 vjet burg për Geisler-in, e cila është ende në të njëzetat. “Mediazona” raportoi se ajo kishte kërkuar nga gjykata që të dënohej me 27 vjet e 1 ditë burg, në mënyrë që dënimi i saj t’ia kalonte atij të Darya Trepova-s, gruaja ruse e burgosur për sigurimin e një bombe me të cilën ishte vrarë një bloger pro luftës më 2023.

Dënimi i Trepova-s, i shqiptuar vitin e kaluar, ishte më i rëndi që i është dhënë ndonjë gruaje në historinë moderne të Rusisë.

Rastet penale për terrorizëm, spiunim dhe bashkëpunim me një shtet të huaj janë shtuar dukshëm në Rusi që nga fillimi i luftës me Ukrainën para më shumë se tre vjetëve. Pervy Otdel, shoqatë e avokatëve rusë, thotë se 359 njerëz u dënuan për krime të tilla vitin e kaluar.



Read it all at Bota Sot