Ademi priti në takim klubet që u promovuan në një rang më të lartë të garave

- Bota Sot

Ademi priti në takim klubet që u promovuan në një rang më të lartë të garave

Presidenti  i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e klubeve që kanë siguruar ngjitjen në ligat përkatëse për edicionin garues 2024/25.

Me këtë rast kreu i FFK-së u ka uruar mirëseardhje në Superligën e Kosovës dy klubeve që siguruan inkuadrimin nga Liga e Parë: FC Prishtina e Re dhe FC Drenica, duke vlerësuar punën, përkushtimin dhe suksesin që kanë treguar gjatë tërë edicionit të kaluar.

Mirëseardhje në një rang më të lartë të garave u është bërë edhe klubeve KF Tefik Çanga dhe FC Prizreni, të cilat nga edicioni i ardhshëm do të jenë pjesë e Ligës së Parë, që këtë vit do të funksionojë si një ligë unike, duke rritur nivelin e garës dhe cilësinë e futbollit.

Po ashtu, presidenti Ademi përgëzoi edhe dy klubet që janë inkuadruar në Ligën e Dytë, FC Top Football dhe KF Drini i Bardhë nga Hasi, të cilat me angazhim e përkushtim kanë arritur të promovohen në këtë rang garash me meritë.

Në këtë takim, presidenti Ademi përshëndeti edhe suksesin e dy klubeve të futbollit të vajzave, KFV Prishtina dhe KFF Feronikeli, të cilat do të jenë pjesë e Superligës së vajzave, duke kontribuar në fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij segmenti të rëndësishëm të futbollit në vendin tonë.

Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i frytshëm mbi të arriturat e deritanishme dhe planet për të ardhmen, me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të grupmoshave dhe rritjen e cilësisë së përgjithshme të garave. Presidenti Ademi ritheksoi përkushtimin e FFK-së për të qenë gjithmonë pranë klubeve dhe për t’i mbështetur ato në rrugën drejt profesionalizmit dhe suksesit sportiv.

Kreu i FFK-së shprehu mirënjohjen e tij për punën dhe përkushtimin e treguar nga të gjitha klubet dhe u urojë atyre shumë suksese në sfidat e reja të edicionit të ardhshëm garues.



Read it all at Bota Sot