Rumani, presidenti emëron pro-evropianin Ilie Bolojan si kryeministër

- Bota Sot

Rumani, presidenti emëron pro-evropianin Ilie Bolojan si kryeministër

Presidenti rumun, Nicusor Dan njoftoi sot emërimin e Ilie Bolojan si kryeministër, pas disa javësh negociatash. Ky njoftim, përveç çdo zhvillimi të mëtejshëm, duhet t’i japë fund një periudhe të trazuar politike.

Aktualisht ai kryeson Senatin, por 56-vjeçarit të Partisë Liberale do t’i duhet të përmirësojë financat katastrofike dhe të pajtojë një vend thellësisht të ndarë.

“Ilie Bolojan është personi më i mirë për të kryer reformat e nevojshme në aparatin shtetëror rumun”, deklaroi Dan gjatë një fjalimi zyrtar në Bukuresht.

Në krah të tij, kreu i ardhshëm i ekzekutivit tha se ishte “i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij të madhe përballë situatës së vështirë buxhetore” në Rumani, një anëtare e BE-së me deficitin më të madh në bllokun evropian.

Emërimi i tij tani duhet të ratifikohet nga Parlamenti, ku ai shpreson të fitojë mbështetjen e katër partive pro evropiane.

E djathta ekstreme, e cila fitoi një të tretën e vendeve në zgjedhjet e dhjetorit, i quajti negociatat një “turp” dhe një “fyerje”, ashtu si edhe kreu i partisë nacionaliste AUR, George Simion, i cili u përjashtua nga diskutimet.

Kjo rritje e forcave euroskeptike, që kundërshtojnë ndihmën ushtarake për Kievin, kishte shkaktuar shqetësim në Bruksel, pasi vendi me 19 milionë banorë ka qenë në ballë të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainën fqinje.



Read it all at Bota Sot