Një aksident i rëndë trafiku që ndodhi më 6 qershor në fshatin Lushtë të Mitrovicës ka përfunduar me pasoja fatale për Lavdim Hotin, 34-vjeçar, i cili ndërroi jetë pas 14 ditësh luftë për jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Aksidenti ndodhi përgjatë rrugës rajonale Pejë–Mitrovicë, kur Hoti, duke drejtuar veturën e tij të tipit “Volkswagen 1K”, humbi kontrollin në një kthesë të thellë dhe përfundoi jashtë rrugës, në një humnerë të thellë.
Ndërkohë, varrimi i të ndjerit bëhet sot, më 21 qershor 2025, në orën 17:00, në varrezat e fshatit Resnik.
Në veturë ndodheshin edhe dy pasagjere: L.N., 29-vjeçare dhe D.H., 18-vjeçare, të cilat pësuan lëndime trupore, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetë.
Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të mosadaptimit të shpejtësisë me kushtet e rrugës, çka çoi në humbjen e kontrollit mbi automjetin dhe pasojë të rënda për të gjithë personat në veturë.
Lavdim Hoti ndërroi jetë më 20 qershor, rreth orës 19:55, në Repartin e Intensivës në QKUK, ku ishte nën përkujdesje të vazhdueshme mjekësore që nga dita e aksidentit.