Kombëtarja në provimin e vjeshtës

- Bota Sot

Kombëtarja në provimin e vjeshtës

“Ore, a do të na gjesh ndonjë biletë?” Ishte pyetja më e dëgjuar në këtë fillim qershori.

Një kërkesë që, në dukje, tingëllonte e thjeshtë, por në realitet, ishte një luks i vërtetë.

Shqipëria pritej të përballej me Serbinë dhe gjithçka kishte marrë përmasa finaleje. Një biletë në Arenën Kombëtare vlente më shumë se një vend në finalen e Champions League.

Të gjithë donin të ishin aty, jo vetëm për prestigj, por për historinë që kjo ndeshje mbart, për simbolikën, për krenarinë. Mbi 800 mijë shqiptarë aplikuan për vetëm 22 mijë vende në stadium. Ishte një betejë për të qenë dëshmitar, për të qenë pjesë e një nate që pritej të shkruante faqe të re në kujtesën kombëtare.

Dhe në fakt, emocionet ishin aty. Entuziazmi, pritja, brohoritjet. Por, jo goli. Sepse, kur u shfaq mundësia më e mirë për të tundur rrjetën, një penallti e fituar, gjithçka u shkri si një ëndërr. Rei Manaj, me gjithë dëshirën, nuk mundi ta shndërronte atë moment në lavdi.

Topi përfundoi në duart e portierit, dhe bashkë me të, një pjesë e madhe e shpresës. Në fund, 0-0. Një rezultat që nuk përshtatej me përpjekjen dhe as me atmosferën. Por, zhgënjimi nuk ndaloi aty. Djemtë e Sylvinhos udhëtuan drejt Letonisë për të rikuperuar atë që humbën në Tiranë.

Në vend të kësaj, shtuan dozat e pakënaqësisë. Një tjetër barazim, 1-1, kundër një rivali që në letër duhej të kalohej pa shumë mund. E vërteta është se ky rezultat i ka shkundur të gjithë, si lojtarët, si stafin, si tifozët që sërish po ndihen në prag të një rënieje psikologjike që nuk ka lidhje me matematikën e renditjes, por me emocionin e çuditshëm që ka mbjellë kjo Kombëtare.

Tani mbetet vetëm të presim. Shtatori, tetori dhe nëntori sjellin katër ndeshje të fundit, katër finale të vërteta ku nuk ka më vend për eksperimente, dhe as për shpresë boshe. Ëndrra është ende e gjallë, por për ta mbajtur në jetë, Shqipëria duhet të bëjë më shumë sesa të luajë mirë: duhet të fitojë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 46-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg prej datës 20 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!



Read it all at Bota Sot