Përpjekjet e Gallatasarajit për të marrë mesfushorin Hakan Çalhanoglu nga Interi po marrin hov, me një rritje të ofertës së klubit turk nga 15 në 20 milionë euro.
Megjithatë, kjo shifër mbetet larg vlerësimit që Interi i ka bërë mesfushorit, i cili llogaritet rreth 35-40 milionë euro.
Tani topi është në fushën e Çalhanoglusë, i cili për herë të parë duhet të tregojë hapur qëndrimin e tij për një rikthim të mundshëm në Turqi.
Deri tani, mesfushori nuk është shprehur qartë me Interin, që nga ana e vet nuk dëshiron të ndahet nga lojtari për një shumë më pak se ajo që mendon se ai vlen. Vitin e kaluar, pasi kishte dyshime fillestare, Çalhanoglu vendosi të qëndrojë tek Interi dhe refuzoi një ofertë nga Bajerni i Mynihut.
Tani mbetet për t’u parë nëse do të thotë sërish “jo” për Gallatasarajin, që i ofron një kontratë prej 10 milionë eurosh në sezon. Sipas mediave turke, veçanërisht “Sporx”, Çalhanoglu dëshiron të kthehet në shtëpi dhe pritet të marrë vetë iniciativën për të negociuar me Interin, duke kërkuar një ulje të çmimit të kartonit të tij. Gallatasaraj zyrtarisht ka mohuar çdo negociatë për të mos vënë në vështirësi mesfushorin, por po pret një hap nga Çalhanoglu.
Strategjia e tyre është që me pëlqimin e lojtarit të ulin kërkesat financiare të Interit, pasi zakonisht u ofrojnë paga të larta lojtarëve, por investojnë shumë më pak për transferimet.
Në rast se Interi humbet Çalhanoglunë, klubi po shqyrton alternativa të tjera si Bernabe, në kuadër të negociatave të nisura me Parmën për Boni dhe Leoni, dhe Rovelën, që Lacio nuk dëshiron ta shesë, edhe pse ka një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh. Situata mbetet në pritje të vendimit final të Çalhanoglusë, i cili tani ka në dorë fatin e tij dhe të merkatos së Interit.