Koopmeiners thotë se është borxhli ndaj Juventusit

- Bota Sot

Koopmeiners thotë se është borxhli ndaj Juventusit

Mesfushori i Juventusit, Teun Koopmeiners, pranon se ndihet ‘borxhli’ ndaj klubit, pasi ata shpenzuan mbi 60 milionë euro për ta transferuar nga Atalanta verën e kaluar.

Ai thotë se është i vendosur t’ia shpaguajë besimin ‘Zonjës së Vjetër’, edhe pse ende nuk është në formën e tij më të mirë pas dëmtimit të fundit.

Koopmeiners, që aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara për Kupën e Botës për Klube, foli për Tuttosport rreth eksperiencës së tij në Torino dhe synimeve për të ardhmen.

“Nuk jam ende 100 për qind i gatshëm, por padyshim që po përmirësohem, faleminderit”, tha ai.

Duke folur për momentin kur Juventusi u kualifikua për Ligën e Kampionëve pa ndihmën e tij. “Ishte shumë e vështirë. Isha jashtë për tre muaj për shkak të dëmtimit. Tendoni ende më shqetëson dhe diskutoj shpesh me trajnerin”.

Ai theksoi se i duhet ende kohë për të arritur gjendjen më të mirë. “Nuk e di sa do të zgjasë, por nuk mund të kërkoj nga trupi im të luaj 90 minuta menjëherë. Për momentin, nuk jam gati për këtë.”

Koopmeiners beson se Juventusi ka një mundësi reale për të fituar trofe këtë verë. “Ky turne është një shans i shkëlqyer për të gjetur ritmin dhe për të provuar të fitoj trofeun tim të parë me Juven. Sa më shumë të përparojmë, aq më shumë do të ndihmoj.”

Ai pranoi se nuk është i kënaqur me kontributin e tij deri tani. “Te Juventusi, ke detyrim për të fituar. Nuk mund të jem i lumtur me sezonin tim të parë këtu. Nuk jam i kënaqur me mënyrën si kam luajtur.”

Holandezi shpjegoi se lëndimet kanë ndikuar shumë. “Pata pak fat të keq: theva shpatullën, pastaj disa probleme muskulore dhe tendini. Por kam besim se do tregoj se kush jam.”

Në fund, ai foli për presionin e transferimit të madh. “Kur vjen te Juve me një çmim kaq të lartë, është normale që të kërkojnë më shumë. E di që duhet të jap më shumë dhe jam gati ta bëj.”.



Read it all at Bota Sot