Bashkim Velija i lirë për të vendosur të ardhmen

- Bota Sot

Bashkim Velija i lirë për të vendosur të ardhmen

“Kontrata ime 1-vjeçare skadoi, i lirë për të vendosur. Tërheqja e Renoves, Gostivarit dhe Besës, një dëm për futbollin e Pollogut. Shkëndija më stabile, punë e mirë nga Arsimi Çegranit. Roli i madh i mediave në pasqyrimin e realitetit.”

Mbrojtësi i djathtë 31-vjeçar, Bashkim Velija, është një nga emrat me përvojë në futbollin vendor që aktualisht është pa skuadër. Kontrata e tij njëvjeçare me KF Besa Dobërdoll ka përfunduar më 30 qershor dhe tani është i lirë për të vendosur hapin e radhës në karrierë. Në një periudhë ku merkatoja është ende aktive, Velija vlerëson me kujdes opsionet, pa nxitim.

Por situata personale e tij është pasqyrë e një tabloje më të gjerë në Pollog. Tërheqja nga garat e Renovës, mos pjesëmarrja e Gostivarit dhe rënia e Besës kanë krijuar një boshllëk të ndjeshëm në skenën futbollistike të rajonit. Jo vetëm që shumë futbollistë kanë mbetur të lirë, por është zbehur edhe fryma sportive te të rinjtë, që më herët e shihnin një rrugë drejt suksesit përmes ekipeve të zonës.

“Është për të ardhur keq që për një rajon si i yni, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të rinjtë të kenë motivim për të vazhduar me futbollin. Tani shumë lojtarë janë të lirë, dhe për fat të mirë, Kosova dhe Shqipëria ofrojnë alternativa dhe nuk mungojnë ofertat. Por realiteti është që entuziazmi po zbehet.”

Në këtë panoramë, Velija e vlerëson qëndrueshmërinë e KF Shkëndijës, që si klub me ambicie të mëdha, ofron stabilitet, por për shkak të objektivave evropiane është shpesh i detyruar të afrojë përforcime edhe jashtë rajonit. Megjithatë, ai veçon me respekt edhe punën e palodhur të Arsim Çegranit, që me përkushtim dhe profesionalizëm ka ruajtur të gjallë pasionin për futboll në një zonë që kishte nevojë për një shembull të tillë.

“Falënderoj edhe ju mediat që pasqyroni e shkruani për ne dhe situatën, nuk është pak. Me këtë ndihmoni edhe në gjetjen e zgjidhjeve për të ardhmen tonë. Ka shumë vlerë për ne që nuk jemi në qendër të vëmendjes çdo ditë”, shprehet Velija për Sportmania.

Aktualisht, ai pret ofertat nga klubet që ende nuk kanë nisur fazat përgatitore, kryesisht në Kosovë, Shqipëri dhe vend, ndërsa korriku e gushti pritet të sjellin më shumë zhvillime në këtë drejtim.

“E ardhmja është e hapur. Kam kohë dhe do të vendos me kujdes. Gjëja më e rëndësishme është të jem në një ambient të shëndetshëm, ku vlerësohet puna dhe profesionalizmi.”.



Read it all at Bota Sot