Arsimi vazhdon bashkëpunimin me 10 futbollistë

- Bota Sot

Arsimi vazhdon bashkëpunimin me 10 futbollistë

Arsimi i Çegranit e ka nisur me vendosmëri ndërtimin e skuadrës për sezonin historik në Ligën e Parë të Maqedonisë. Klubi që mahniti me ngjitjen në elitë ka njoftuar zyrtarisht vazhdimin e bashkëpunimit me 10 nga futbollistët më të rëndësishëm të suksesit të arritur.

Në krye të listës qëndron kapiteni dhe portieri Vullnet Islami, ndërsa në repartin defanziv vazhdojnë Ajradin Cuculi, Muhjedin Dardhishta dhe Xhezair Avduli, i cili, ndonëse kishte oferta, zgjodhi të qëndrojë besnik ndaj ngjyrave verdh e zi.

Në mesin e fushës vazhdojnë të jenë pjesë e projektit Argjent Gafuri, organizatori me numër 10, talenti Subi Mustafa dhe përvoja e Maliq Belulit. Ndërkaq në sulm do të vazhdojnë të kontribuojnë Shpend Asani, i konsoliduar tashmë si një shtyllë e ofensivës, bashkë me Alban Taipin, si dhe golashënuesin kryesor të sezonit të kaluar dhe lojtari më i mirë i Ligës së Dytë, Albin Ramadani.

Ky vendim për të ruajtur boshtin e ekipit është tregues i vizionit të drejtë dhe stabilitetit që kërkon të ndërtojë Arsimi në elitën e futbollit vendor. Nga klubi bëjnë të ditur se janë në vijim të bisedimeve me lojtarë të tjerë, ndërsa paralajmërohen edhe përforcime të reja.

Një sinjal i qartë se Arsimi nuk synon vetëm pjesëmarrje në Ligën e Parë, por prezencë dinjitoze dhe afatgjatë!



Read it all at Bota Sot