Sipas gazetarit të njohur të Sport Bild, Christian Falk, Bayern Munich ka nisur kontaktet për një transferim të mundshëm të anësorit të Arsenalit, Gabriel Martinelli.
Braziliani është një nga figurat kyçe të “Topçinjve” që prej ardhjes së tij nga Ituano në vitin 2019 për një shumë prej rreth 7 milionë euro. Gjatë pesë viteve të fundit, Martinelli ka zhvilluar 225 ndeshje, duke shënuar 51 gola dhe dhënë 29 asistime me fanellën e Arsenalit.
Gjigantët bavarezë po kërkojnë të forcojnë repartin ofensiv me anësor dhe e shohin Martinellin si një lojtar që mund t’i shtojë skuadrës shpejtësi dhe produktivitet në sulm.
Martinelli është i lidhur me kontratë me Arsenalin deri në qershor 2027 dhe vetëm sezonin e kaluar ai u aktivizua në 51 ndeshje, ku realizoi 10 gola dhe regjistroi 5 asistime në të gjitha garat.
Vlera aktuale e tregut për 23-vjeçarin është 55 milionë euro, ndërsa paga e tij vjetore kap shifrën e 11.1 milionë eurove.
Bayern Munich pritet të analizojë mundësitë për ta afruar brazilianin, i cili mund të përfaqësojë një goditje strategjike për sezonin e ri.