De Bruyne i ‘kërkon’ Napolit të nënshkruajë me yllin e Cityt

- Bota Sot

De Bruyne i ‘kërkon’ Napolit të nënshkruajë me yllin e Cityt

Kevin De Bruyne raportohet se dëshiron që Napoli të transferojë ish-shokun e tij te Manchester City, Jack Grealish, gjatë kësaj vere.

Grealish, 29-vjeçar, iu bashkua Cityt në vitin 2021 nga Aston Villa për 100 milionë paund, duke u bërë në atë kohë lojtari më i shtrenjtë anglez në histori.

Megjithatë, pavarësisht se kishte një sezon të shkëlqyer gjatë fushatës fituese të trefishtë të Cityt në 2022-23, ai nuk ka arritur të tregojë të njëjtin nivel si te Aston Villa dhe ka zhgënjyer përgjithësisht në “Etihad”.

Në sezonin 2024-25, Grealish humbi më tej vendin e tij në formacion, duke nisur vetëm shtatë ndeshje në Premier League, dhe vetëm një në vitin 2025.

Situata kulmoi në fillim të këtij muaji, kur ai u la jashtë listës me 27 lojtarë të Cityt për Kupën e Botës për Klube, dhe trajneri Pep Guardiola i tha qartë se duhej të gjente një klub të ri.

Sipas “The Sun”, legjenda e Cityt, De Bruyne, i cili këtë muaj iu bashkua kampionëve të Serie A, Napolit, pasi i përfundoi kontrata me Cityn, ka kërkuar nga drejtuesit e klubit italian që të transferojnë Grealishin.

Guardiola u shpreh për situatën e Grealish:

“Vendosëm që ai duhet të luajë. Klubi ishte i ndershëm, edhe ai vetë ishte i ndershëm.
Vendosëm se gjëja më e mirë është të qëndrojë jashtë (listës) dhe të gjejë një vend ku mund të rikthehet të jetë lojtari që ishte në vitin e trefishtës apo gjatë gjithë karrierës së tij te Aston Villa. Pa të, do të kishte qenë më e vështirë ajo arritje historike.

Fakti është që në dy sezonet e fundit nuk ka pasur shumë minuta. Ai duhet të rikthehet të luajë rregullisht, të ndiejë emocionin e ndeshjeve çdo tre ditë, dhe të tregojë sërish cilësinë që ka”.

Nëse Grealish do të transferohej te Napoli, ai do t’i bashkohej një grupi lojtarësh të tjerë, që më parë kanë luajtur në Premier League, që tashmë janë pjesë e klubit napolitan, si Scott McTominay, Billy Gilmour, Romelu Lukaku dhe Philip Billing – të gjithë pjesë e suksesit të tyre në Serie A.

Këtij grupi tashmë i është shtuar edhe De Bruyne, si përforcimi më i bujshëm i verës.



Read it all at Bota Sot