Analisti kroat: Nëse Irani nuk pranon kushtet, do ta pësojë si Serbia

- Bota Sot

Analisti kroat: Nëse Irani nuk pranon kushtet, do ta pësojë si Serbia

Sulmi amerikan ndaj objektivave ushtarake iraniane ngre çështjen e mundësisë së përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Gordan Akrap, prorektor i Universitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë "Franjo Tuxhman" në Zagreb beson se nuk është e sigurt se kjo do të zhvillohet në një luftë rajonale me përmasa të gjera, raporton KosovaPress.

Akrap shpjegon se ekzistojnë dy mundësi. Mundësia e parë është që Irani të përgjigjet me një sulm të kufizuar ndaj objektivave të caktuara për tu treguar qytetarëve të tij se kanë "fituar", pas së cilës mund të vazhdojë negociatat dhe të pranojë kushtet e SHBA-së dhe IAEA-së, duke u tërhequr nga programi i tij bërthamor ushtarak.

Mundësia tjetër, e cila mund të jetë shumë më serioze, duke pasur parasysh madhësinë e forcave amerikane në Lindjen e Mesme, nëse Irani nuk i pranon kushtet një skenar i ngjashëm mund të ndodhë si në rastin e Serbisë në vitin 1999.

Kur u pyet nëse Perëndimi mund të bëhet shënjestër e një përgjigjeje iraniane, Akrap u përgjigj pozitivisht në një paraqitje për televizionin kroat.

"Vendet perëndimore me siguri mund të jenë shënjestër e sulmeve iraniane", thekson ai, duke shtuar se ministri i Jashtëm iranian po shqyrton mundësi të ndryshme.

Ai theksoi veçanërisht kontrollin e Iranit mbi ndërmjetësit, siç janë rebelët Houthi në Jemen, Hezbollahu në Liban dhe Hamasi në Gaza.

Akrap beson se Shtetet e Bashkuara dërguan një mesazh të qartë me veprimin e tyre ushtarak, por gjithashtu hapën derën për një dalje diplomatike.

"Amerikanët u dhanë atyre një shans për të dalë prej saj me nder. Kjo është arsyeja pse nuk kishte rrezatim", tha ai, duke shpjeguar se kjo përfaqësonte mesazhin e SHBA-së: "Ne mund të biem dakord për gjithçka, por ju duhet të hiqni dorë nga programi bërthamor ushtarak".

Një nga përgjigjet e mundshme të Iranit ndaj sulmit të SHBA-së mund të jetë mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për rrjedhat globale të energjisë.

Ndërsa Akrap beson se ky opsion ekziston, ai gjithashtu thekson se pasojat do të ishin të kufizuara pasi Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë tubacione alternative.

Ai gjithashtu përshëndeti thirrjen e sekretarit të Shtetit Marco Rubio drejtuar Kinës për ta bindur Iranin të mos mbyllë ngushticat.

Akrap gjithashtu komentoi marrëdhëniet gjeopolitike, veçanërisht në kontekstin e Rusisë duke thënë se edhe pse Irani ka theksuar aleancën e tij strategjike me Moskën, kjo e fundit nuk është në gjendje ta ndihmojë ushtarakisht Iranin për shkak të problemeve të veta me furnizimet me armë. 



Read it all at Bota Sot