Propozohen shifra të padëgjuara për lojtarin nga Kosova që luan në Rusi

- Bota Sot

Propozohen shifra të padëgjuara për lojtarin nga Kosova që luan në Rusi

Lojtari nga Kosva, Mirlind Daku, po shijon në këto ditë pushime të tij të verës në Shqipëri.

Por paralelisht, përfaqësues të tij po diskutojnë për të ardhmen e lojtarit, që do i garantojë fitime marramendëse, cilado qoftë zgjedhja e tij.

Pak ditë më parë, Daku ishte në bisedime me Zenit Shën Petersburg, por marrëveshja dështoi. Tani, mediat ruse bëjnë të ditur se Dinamo e Moskës është gati të hidhet në sulm për sulmuesin shqiptar, duke i ofruar shifra të rëndësishme lojtarit i cili është nën kontratë me Rubin Kazan edhe për një tjetër vit.

Por ofertën më të mirë ai e ka marrë pikërisht nga Rubin Kazan për momentin, me disa shifra që nuk janë dëgjuar ndonjëherë më parë për një futbollist të Kombëtares shqiptare. Mediat ruse bëjnë të ditur se Rubin Kazan i ka propozuar Dakut rinovimin në vitin 2029 me një pagë shumë më të lartë se sa e ka aktualisht.

“Sport Baza” shpjegon se atij i është propozuar një rrogë vjetore prej 200 milionë rublash (rreth 2,2 milionë euro), me një bonus besnikërie prej 150 milionë rublash (1,6 milionë euro) në çdo vit që vazhdon bashkëpunimin me klubin.

Me pak fjalë, më shumë se 3,8 milionë euro në vit për futbollistin shqiptar nëse i shkon deri në fund kontratës që i propozohet.

Përfaqësuesit e futbollistit kanë marrë këtë propozim nga Rubin Kazan dhe po e shqyrtojnë me lojtarin paralelisht me ato që i ofrohen nga klube të tjera pasi është përfolur se për të ka interes edhe nga Turqia e Itali.



Read it all at Bota Sot