Studimi: Evropianët kërkojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake

- Bota Sot

Studimi: Evropianët kërkojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake

Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe paparashikueshmëria e veprimeve të Presidentit amerikan Donald Trump, kanë bërë që qytetarët evropianë të kërkojnë më shumë investime për mbrojtjen si dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Është ky rezultati  i një studimi të bërë në 12 vende nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ku në shumicën e tyre qytetarët e këtyre shteteve kërkojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake. Përjashtim bën vetëm Italia, ku një shumicë domethënëse janë kundër.

Në Poloni dhe Danimarkë, 70% e të anketuarve janë në favor të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar kjo përqindje është 57%.

Edhe pse mbështetja është më e vogël në vende të tjera, përqindje të konsiderueshme e qytetarëve në Gjermani (47%), Spanjë (46%) dhe Francë (45%) ndajnë të njëjtin qëndrim.

Në Itali, vetëm 17% e anketuesve janë pro rritjes së buxhetit të mbrojtjes, ndërsa 57% janë kundër.

Shumë evropianë mbështesin rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, përveç grupmoshës 18-29 vjeç, më e prekura në rast konflikti të armatosur.

Mbështetja më e madhe për këtë ide është në Francë me 62%, Gjermani (53%) dhe Poloni (51%).

Ndërkohë, në vende si Italia (50% kundër), Britania (53%), Spanja (56%) dhe Hungaria (58%) kundërshtimi është më i theksuar.

Studimi tregon ndarje të thella në opinionin evropian për Donald Trumpin dhe sistemin politik amerikan.

Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, shumica e të anketuarve, respektivisht 74% dhe 67%, e konsiderojnë sistemin politik amerikan si të dështuar.

Autorët e raportit të studimit, Ivan Krastev dhe Mark Leonard, thonë se marrëdhëniet BE-SHBA janë gjithnjë e më shumë ideologjike.

Ata vërejnë se lidhja e partive të ekstremit të djathtë evropian me Trumpin po i ngjan marrëdhënies së dikurshme të partive komuniste me Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Ndërkohë që partitë populiste të djathta e shohin Trumpin si model, votuesit e partive tradicionale janë kritikë ndaj tij dhe sistemit amerikan. Megjithatë, edhe brenda partive të djathta, një pjesë e votuesve e shohin rikthimin e Trumpit si një zhvillim negativ për amerikanët.

Rezultatet e këtij studimi janë publikuar në prag të samitit të NATO-s këtë javë, ku pritet që anëtarëve t’u kërkohet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në të paktën 5% të PBB-së deri në vitin 2032. Spanja e ka kundërshtuar 5%-shin, duke e cilësuar “jorealist” dhe “kundërproduktiv”, ndërsa Italia kërkon shtyrjen e afatit deri në vitin 2035.



Read it all at Bota Sot