Salernitana bie në Serie C në mënyrën më të keqe të mundshme.
Pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë në Marassi, Salernitana kishte nevojë për një fitore me dy gola diferencë për të mbijetuar në Serie B. Por situata u përkeqësua edhe më shumë në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Arechi”.
Sampdoria kaloi në avantazh të dyfishtë me golat e Codës (38′) dhe Sibillit (49′), duke e çuar rezultatin total në 4-0. Në minutën e 65-të, kur shpresat për mbijetesë ishin shuar, tifozët e Salernitanës nisën një hedhje masive sendesh, tymuesesh dhe madje edhe ndenjëseve në fushë. Situata u përshkallëzua dhe ndeshja u pezullua përkohësisht.
Pas rreth 30 minutash, gjyqtari Doveri dhe skuadrat u kthyen në fushë për të provuar të rifillonin ndeshjen, por dhuna dhe hedhjet nga tifozët rifilluan pas vetëm 30 sekondash. Gjyqtari e ndaloi përfundimisht ndeshjen, duke dërguar të gjithë lojtarët në dhomat e zhveshjes.
Pas kësaj, pritet që Salernitana ta humbasë ndeshjen në tavolinë 3-0, gjë që e vulos zbritjen e saj në Serie C. Sampdoria, që ishte rrëzuar nga Serie B vetëm 40 ditë më parë, shpëton falë këtij përfundimi kaotik.
Ky është rasti i dytë brenda dy vitesh ku play-out-et e Serie B nuk përfundojnë në fushë – një situatë e ngjashme ndodhi edhe mes Brescias dhe Cosenza-s më parë.
Për Samdorian ndërkohë ky sezon mund të quhet me të vërtetë i çuditshëm, me gjenovezët që kaluan nga ferri në parajsë, teksa zbritën në përfundim të sezonit në Serinë C, por më pas dënimi i Brescias bëri, që kjo skuadër të lunate në finalet e play out, aty ku siguroi qëndrimin pas dy finaleve me Salernitanën.