Pavarësisht interesimit të ulët të treguar për Kupën e Botës për Klube që po mbahet në Shtetet e Bashkuara, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbetet optimist për të ardhmen e futbollit përtej Atlantikut.
Gjatë një deklarate për media, Infantino theksoi besimin e tij se futbolli do të marrë primatin ndaj sporteve tradicionale amerikane brenda një periudhe të shkurtër kohore.
“Në tre, katër vite ose maksimumi pesë vite, futbolli do të jetë sporti më i praktikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha kreu i FIFA-s.
“Prania ime këtu, më bën që të jem i bindur se brenda pak vitesh futbolli do të jetë sporti më popullor në SHBA”, theksoi ai, duke e lënë mënjanë modestinë dhe duke theksuar rolin që FIFA po luan në zhvillimin e këtij sporti në tregun amerikan.
Me organizimin e kompeticioneve të mëdha ndërkombëtare në SHBA, përfshirë Kupën e Botës për Klube dhe Botërorin 2026, FIFA synon të ngrejë futbollin në një tjetër nivel në një treg kaq të madh dhe strategjik.