Përmbaruesit bëhen me sistem elektronik të menaxhimit

- Bota Sot

Përmbaruesit bëhen me sistem elektronik të menaxhimit

Qendra për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC) dhe Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës, kanë lansuar sistemin elektronik të menaxhimit të përmbarimit. Ky sistem u tha se paraqet një hap të rëndësishëm në digjitalizimin dhe rritjen e efikasitetit të sistemit përmbarimor në Kosovë.

Drejtoresha e projektit për forcimin e përmbarimit në Ballkan (BESP), Zlaty Mihailova tha se ky sistem do ta fuqizojë transparencën.

Mihailova: Dua t’iu inkurajoj që ta filloni ta përdorni këtë sistem

"Ka pasur hulumtim dhe bashkëpunim të madh me gjithë përmbaruesit privat dhe Ministrinë e Drejtësisë. Dhe është një seri trajnimesh, një cikël që ka përfshirë cdo zyrë në Kosovë. Po ashtu, është dashur përkrahja e Ministrisë së Drejtësisë dhe kam kënaqësinë që sot i kemi të gjitha palët e interesit këtu . Dua të ju inkurajoj që ta filloni të përdorni sepse është natyrë njerëzore që rezistojmë ndryshimin dhe gjithë ne duam digjitalizimin...Ky sistem do të fuqizojë transparencën, profesionalizmin dhe kontrollin e sistemit dhe ky ka qenë objektiva kyçe", theksoi ajo.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Karin Boven tha ky projekt është një investim strategjik.

Boven: Qëllimi i projektit është forcimi i sundimit të ligjit

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është i qartë: forcimi i sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në fazën para-anëtarësimit në BE, përmes përmirësimit të zbatimit të vendimeve civile të gjykatave, që është një nga kërkesat kryesore të Kapitullit 23 të acquis të BE-së. Ky dhe Kapitulli 24 janë fusha për të cilat ne, si Holandë, kemi një përkushtim të veçantë. Jam e kënaqur të mësoj për tri rezultatet kryesore që projekti ka sjellë: Rritjen e llogaridhënies së përmbaruesve privatë përmes mekanizmave të përmirësuar të mbikëqyrjes dhe kontrollit, përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në përmbarimin ndërkufitar, promovimin dhe lokalizimin e Konventës për vendimet gjyqësore të konferencës së Hagës për të drejtën ndërkombëtare private”, u shpreh ajo.

Feride Podvorica, e cila është drejtoreshë e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë tha se lansimi i këtij sistemi është një arritje e madhe.

Podvorica: Ky sistem rrit transparencën dhe mbikëqyrjen e procedurave përmbarimore

Sot kemi një platformë funksionale që sjell përfitime konkrete për gjithë sistemin. Rrit transparencën dhe mbikëqyrjen e procedurave përmbarimore, përshpejton trajtimin e lëndëve dhe përmirëson efikasitetin, lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve dhe më e rëndësishmja forcon mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe palëve të përfshira. Zbatimi i EMS-it tashmë ka arritur të jap rezultatet e para”, tha ajo në lansimin e këtij sistemi.

E kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Mehdi Reshani tha se ky sistem do të lehtësojë punën dhe do të rris besimin e qytetarëve.

Reshani: Kemi qenë të përkushtuar dhe pro çdo sistemi që avancon sistemin e përmbarimit

Ne si odë që nga fillimi edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar që lansimin e projektit të EMS-së ta avancojmë dhe tashmë fatmirësisht që ky sistem do të ketë mundësinë që të lidhet edhe me sistemin SMIL të gjykatave ashtu siç e kemi informatën...Ne gjithmonë kemi qenë të përkushtuar dhe pro çdo sistemi që avancon dhe digjitalizon sistemin tonë të përmbarimit”, përfundoi ai. 



Read it all at Bota Sot