Rutte: SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s

- Bota Sot

Rutte: SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s

Aleatët evropianë nuk duhet të shqetësohen për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s, tha të martën Mark Rutte, shefi i aleancës ushtarake, duke folur para një samiti ku pritet të miratohet një synim i ri për shpenzime të mëdha.

Takimi dyditor në Hagë ka për qëllim t’ia dërgojë një mesazh presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se NATO-ja është e bashkuar, pavarësisht kritikave të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj aleancës, dhe se është e vendosur ta zgjerojë dhe përmirësojë mbrojtjen për ta frenuar çdo sulm nga Moska.

“Presidenti amerikan dhe udhëheqja e lartë amerikane janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s”, tha Rutte në një forum publik para hapjes zyrtare të samitit, duke shtuar, megjithatë, se ky përkushtim vjen me pritshmërinë që vendet evropiane dhe Kanadaja t’i rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Samiti dhe deklarata përfundimtare e tij do të jenë të shkurtra dhe të përqendruara në përgjigjen ndaj thirrjes së Trumpit për t’i shpenzuar 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto – një rritje e madhe nga caku i tanishëm prej 2 për qind.

Rutte e përshkroi çështjen e shpenzimeve si “pengesë, irritim i madh, që është fakti se ne nuk po shpenzojmë sa duhet si evropianë dhe kanadezë, dhe ata duan që të barazohemi me atë që shpenzon SHBA-ja”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka planifikuar të takohet me Trumpin në Hagë – edhe pse ai nuk do të marrë pjesë në samit, pasi zyrtarët e NATO-s janë përpjekur të shmangin përplasjet mes Trumpit dhe udhëheqësve të tjerë për luftën në Ukrainë.

Zelensky tha në një intervistë për Sky Neës, të transmetuar të martën, se ekipet e dy liderëve po punonin për detajet organizative dhe kohën e takimit.

I pyetur për mundësinë e përfundimit të luftës trivjeçare në Ukrainë, Rutte tha: “Nuk mund të parashikoj kur do të ndodhë”.

Ai gjithashtu lavdëroi Trumpin për angazhimin me Putinin.

Rusia ka përmendur dëshirën e fqinjit të saj për t’u bashkuar me aleancën transatlantike të udhëhequr nga SHBA-ja si një nga arsyet pse e pushtoi Ukrainën në vitin 2022.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të martën se NATO – e themeluar në vitin 1949 për t’i bërë ballë kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik komunist – është krijuar për konfrontim dhe ndodhet në rrugë të “militarizimit të pakontrolluar”.

Lufta mes Izraelit dhe Iranit dhe statusi i pasigurt i një armëpushimi të shpallur gjatë natës nga Trumpi e bëjnë samitin shumë më pak të parashikueshëm nga sa do të dëshironte Rutte dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s./REL



Read it all at Bota Sot