Yildiz, gjithnjë e më shumë në qendër të projektit të Juventusit

- Bota Sot

Yildiz, gjithnjë e më shumë në qendër të projektit të Juventusit

Kenan Yildiz është gjithnjë e më shumë në qendër të projektit të Juventusit. Sulmuesi turk e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer Kupën e Botës për Klube, duke realizuar 3 gola në 2 ndeshjet e para të fazës së grupeve.

Dy paraqitje që kanë konfirmuar rritjen e tij të jashtëzakonshme gjatë këtij sezoni, çka e ka shtyrë Juventusin të jetë gati për ta “blinduar” edhe më shumë talentin në fjalë, duke ia përmirësuar kontratën aktuale.

Në fakt, Yildiz e ka rinovuar së fundmi kontratën me Juventusin deri në vitin 2029, me pagë prej 1.5 milionë euro në sezon. Megjithatë, sapo të përfundojë turneu në SHBA, drejtori i përgjithshëm Comolli do të takohet me agjentët e turkut për të diskutuar zgjatjen e kontratës deri në vitin 2030, sigurisht me rritje të pagës. Juventusi dëshiron t’ia dyfishojë rrogën (3 milionë euro në sezon), ndërsa kërkesa e përfaqësuesve të lojtarit është 5 milionë euro.

Me shumë gjasë, palët do të gjejnë një marrëveshje të përbashkët rreth shumës prej 4 milionë eurosh. Qëllimi i klubit bardhezi është ta “blindojnë” përfundimisht numrin 10 të skuadrës, i cili nën drejtimin e Tudor ka rigjetur formën dhe shkëlqimin. Tani është gati ta ndërtojë të ardhmen e tij si protagonist me fanellën bardhezi.

Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e vetë trajnerit Igor Tudor, i cili e ka lavdëruar kështu Yildiz: “Kenan e do futbollin dhe dëshiron të luajë gjithmonë.

Ka shpejtësi dhe ide, përveç një mentaliteti prej lojtari të madh. Çelësi është koka. Ka cilësi dhe punon fort si një mesfushor.

Përveç kësaj, është edhe një djalë i shkëlqyer. Do të jetë vetë ai që do të vendosë se deri ku mund të arrijë. Frikë nga ndonjë sulm nga klubet e mëdha? Mund të ndodhë, por ai është ende i ri”.



Read it all at Bota Sot