Situata e Marc-André ter Stegen te Barcelona ka ndezur alarmin në Gjermani. Pas 11 vitesh në klub, portieri gjerman mund të jetë duke përjetuar ditët e tij të fundit si blaugrana, pas transferimit të Joan García. Ish-lojtari gjerman Mario Basler ishte më i drejtpërdrejtë në programin “Spotlight” të “Sport1”: “Kjo është ajo që ndodh sot. Nëse je i dëmtuar dhe nuk të duan më, të hedhin (flakin) si një thes plehrash”.
Për ish-lojtarin e Bayern Munich, largimi i Ter Stegen nga skuadra katalanase është i pashmangshëm: “Nuk është ndonjë surprizë. Nuk do të ketë asnjë mundësi për të luajtur atje, rrezikon edhe vendin e tij në kombëtare. Duhet të kërkojë klub tjetër nëse dëshiron të jetë numri një në Kupën e Botës 2026”.
Basler kritikoi gjithashtu rëndë Barcelonën, duke theksuar se “kontratat nuk vlejnë më asgjë” nëse një klub vendos të heqë dorë nga një lojtar. Gjatë “Final Four” të “Nations League”, edhe trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, shprehu shqetësimin e tij për të ardhmen e portierit që, të paktën për momentin, është titullari i tij titullar për Botërorin: “Do të doja që, për shkak të historisë që disa njerëz kanë me kombëtaren dhe me të, të merrte ndonjë informacion për të ardhmen e tij”.
Kësisoji, ai iu drejtua qartësisht trajnerit gjerman të Barcelonës, Hansi Flick. Nagelsmann pranoi se e ka “shumë të vështirë ta gjykojë situatën”, por theksoi se ka folur personalisht me Ter Stegen për atë që e cilësoi si “një temë shumë delikate”.
Pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2028 dhe se është kapiten i skuadrës katalanase, Ter Stegen përballet me një të ardhme shumë të pasigurt në Barcelonë. Drejtori sportiv i klubit, Deco, u shpreh prerazi për “La Vanguardia”:
“Nuk kam pse të flas me të. Detyra ime është të ndërtoj ekipin më të mirë të mundshëm për trajnerin. Nuk ekziston ndonjë kontratë që thotë se një lojtar duhet të luajë patjetër”.