Milani ka rinisur bisedimet me Torinon për mesfushorin italian Samuele Riçi, ndërkohë që negociatat me Bajer Leverkuzenin për Granit Xhakën, kanë ngecur.
“Rossonerët” e konsideronin Xhakën si organizatorin ideal për mesfushën nën drejtimin e trajnerit të ri Masimiliano Allegri, por nuk kanë arritur një marrëveshje me klubin gjerman për 32-vjeçarin.
Ndërkohë, Riçi, 23 vjeç, me dhjetë paraqitje me Italinë, nuk është më i pashitshëm për Torinon. Edhe Atalanta e ka në listë, por pritet të veprojë vetëm në rast largimi të Edersonit.
Milani është në një fazë të thellë ndryshimi në mesfushë këtë verë, pas shitjes së Reijnders te Man. Sitit. Klubi është gjithashtu në bisedime për Ardon Jasharin (Klub Brizhin) dhe Havi Guerran (Valencia), si dhe ka një marrëveshje verbale me Luka Modriç, i cili pritet të bashkohet pas Kupës së Botës për Klube.