Suçiç: Tek Interi për trofe, mezi po pres derbin me Modriçin

- Bota Sot

Suçiç: Tek Interi për trofe, mezi po pres derbin me Modriçin

Mesfushori kroat i Interit, Petar Suçiç, ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për nisjen e aventurës së tij si zikaltër dhe për pritshmëritë që ka në klubin milanez.

“Ndryshimi në jetën dhe karrierën time është i madh, por ishte një zgjedhje e dëshiruar me gjithë zemër. Tani jam në një klub me peshë të jashtëzakonshme dhe dua të shijoj çdo moment, të rritem si futbollist dhe si njeri. Dhe natyrisht, të fitoj”, tha Suçiç.

Lidhur me krahasimet që i bëhen me emra të mëdhenj si Brozoviç, Modriç apo Kovaciç, mesfushori nuk dëshiron të futet në krahasime. “Nuk më pëlqen të flas për veten ose të krahasohem me dikë tjetër, sepse njerëzit mund të mendojnë

‘Ky mendon se është Mesi’. Unë jam vetvetja dhe dua të jem versioni më i mirë i vetes sime. Mund të luaj si numri 6 apo 8, siç thoni ju në Itali, por edhe më qendër në mesfushë. Mundohem të jem një lojtar modern dhe fleksibël dhe bëj gjithçka për Interin, sepse ndodhem në mesfushën më të mirë në botë. Cilido që të jetë, ka cilësi”. Suçiç komentoi edhe ardhjen e Modriç te Milani: “Nëse firmos, do të jetë një gjë e bukur. Të luash derbin kundër Modriçit do të ishte diçka speciale.

Ne kemi luajtur vetëm së bashku në kombëtare, për ne kroatët ai është thjesht më i madhi i të gjitha kohërave dhe të gjithë duan të jenë si Luka. Nuk mund ta imagjinoj plotësisht të luaj kundër tij, por derbi i Milanos është unik, ashtu siç është edhe stadiumi “San Siro”. Kur hyra për herë të parë në një ndeshje Inter-Fiorentina, u magjepsa, nuk është vetëm një stadium, por shtëpia e futbollit”. Në fund, mesfushori foli edhe për trajnerin e ri Kivu.

“Ai e do atë që bën dhe e transmeton këtë te ne, duke qenë i saktë në çdo seancë stërvitore. Një cilësi tjetër e rëndësishme që kam vërejtur tek ai është sinqeriteti, flet hapur, thotë atë që mendon dhe nuk përdor fjalë të tepërta. Aktualisht nuk më ka kërkuar asgjë specifike, përveçse të krijoj harmoni me shokët e ekipit dhe të kuptoj mënyrën se si dëshiron të luajmë, si stërvitemi dhe ku kam arritur”. Një mesfushor me ambicie dhe karakter, Petar Suçiç duket se po nis një rrugëtim premtues tek Interi, duke kërkuar të bëhet një nga figurat kryesore në mesin e zikaltërve.



Read it all at Bota Sot