Inter Miami arriti të kualifikohet me sukses në 1/8 e finales së Kupës së Botës për Klube, pasi mbrëm barazoi 2:2 me Palmeirasin.
Skuadra amerikane e mbylli Grupin A me pesë pikë, duke përfunduar si e dyta.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë, i cili është pjesë e Inter Miamit, Leo Messi ishte i dëshpëruar me rezultatin përfundimtar, pasi skuadra e tij kishte epërsi prej dy golave dhe nuk arritën ta mbajnë deri në fund.
Sulmuesi argjentinas ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke qenë i lumtur që skuadra e tij do të jetë në 1/8 e finales.
“Edhe pse nuk ishim në gjendje të fitonim dje, fakti që u kualifikuam në raundin e 16-të do të thotë shumë për ne si klub. Është një tjetër hap historik, si për Inter Miami ashtu edhe për MLS”, ka shkruar Messi.
Kujtojmë që Inter Miami në 1/8 e finales së Kupës së Botës për Klube do të përballet me Kampionin e Evropës, PSG-në.