Pioli largohet nga Al Nassr

- Bota Sot

Pioli largohet nga Al Nassr

Stefano Pioli nuk është më trajneri i Al Nassr. Klubi saudit e ka bërë zyrtare ndarjen përmes një komunikate:

“Klubi njofton zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit kontraktual me trajnerin e skuadrës së parë, Stefano Pioli. Ne e vlerësojmë të gjithë përpjekjen e tij dhe të stafit, i urojmë sukses në të ardhmen”.

Trajneri italian, i cili kishte firmosur deri në vitin 2027 me klubin e Cristiano Ronaldos, largohet pas një sezoni me 44 ndeshje të drejtuara: 28 fitore, 7 barazime dhe 9 humbje, me 101 gola të shënuar dhe 46 të pësuar. Al Nassr e përfundoi kampionatin saudit në vendin e tretë dhe u eliminua në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve të Azisë.

Tani Pioli është i lirë të firmosë me Fiorentinën, me të cilën ka arritur prej kohësh marrëveshje verbale.

Ai do të zëvendësojë Raffaele Palladinon dhe do të rikthehet në pankinën vjollcë pas periudhës 2017-2019. Për t’iu përkushtuar projektit të ri me Fiorentinën, Pioli ka refuzuar edhe ofertën e Federatës Italiane për të marrë drejtimin e kombëtares axurre.

I lidhur emocionalisht me klubin vjollcë, Pioli ka qenë edhe futbollist i Fiorentinës nga viti 1989 deri më 1995. Sipas raportimeve, ai ka luajtur një rol kyç në qëndrimin e sulmuesit islandez Gudmundsson në skuadër. Tashmë pritet vetëm njoftimi zyrtar i klubit për ta bërë të plotë rikthimin e tij në Firence.



Read it all at Bota Sot