Mastantuono: Më bindi trajneri Alonso

- Bota Sot

Mastantuono: Më bindi trajneri Alonso

Tifozët e Real Madridit do të duhet të presin edhe disa javë për të parë Franco Mastantuono me fanellën e bardhë. Talenti i ri argjentinas, në një intervistë për DAZN, theksoi edhe një herë dashurinë për River Plate dhe dëshirën për të lënë gjurmë pozitive përpara se të transferohet:

“Sa herë zbres në fushë me fanellën e River, mundohem ta përfaqësoj me profesionalizëm. E di që më kanë mbetur edhe pak ndeshje këtu, por gjithmonë tregoj të njëjtin pasion e dëshirë. E dua thellësisht këtë klub, do të jap gjithçka deri në ditën e fundit”.

17-vjeçari nuk e fsheh entuziazmin për kalimin e afërt në Europë: “Të luaj për Real Madridin është një ëndërr. Për mua është klubi më i madh në botë, më i suksesshmi në Europë.

Të gjithë futbollistët duan të arrijnë atje. Do të më duhet të ndryshoj jetë, është e qartë, por nuk ka nevojë as ta them; të gjithë e dinë çfarë përfaqëson Real Madridi”.

Mastantuono është tashmë i orientuar nga e ardhmja, por mbetet i përqendruar tek e tashmja: “Po luaj Kupën e Botës me River dhe mendja ime është këtu. E di çfarë dua, pavarësisht se çfarë thuhet përreth”.

Vendimtar për transferimin e tij ka qenë Xabi Alonso, i cili e bindi me një bisedë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë: “Më dha besim, fjalët e tij më shtynë ta hedh hapin”.

Në fund, për rolin e tij në fushë: “E ndjej veten si sulmues, edhe pse kur isha i vogël luaja si mesfushor ofensiv.

Tani sulmoj nga e djathta, më pëlqen më shumë të shënoj sesa të asistoj. Për të qenë i kompletuar, duhen të dyja”.



Read it all at Bota Sot