Shefi i Aleancës së Atlantikut të Veriut Mark Rutte ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “duhet të ndërmarrin veprime kur është e nevojshme” për të siguruar paqen në të gjithë botën.
Pas samitit të NATO-së në Hagë, ku liderët po mbajnë konferencat për shtyp, Rutte foli edhe për sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane, për të cilat u shpreh se “askush në botë nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Vetëm Shtetet e Bashkuara”.
“Ju jeni 25% e ekonomisë botërore, ju jeni fuqia më e madhe ushtarake në botë” tha Rutte gjatë konferencës së sotme për shtyp.
Sipas Ruttes, “studimet që po bëhen” do të përcaktojnë “se cili ka qenë saktësisht efekti i kësaj”, duke shtuar se “personalisht jam shumë optimist se kjo i ka dhënë një goditje të madhe Iranit”.
Rutte u pyet gjithashtu nga CNN se sa i fortë është Neni 5, i cili e angazhon aleancën për një përgjigje kolektive ndaj një sulmi ndaj çdo shteti anëtar.
“Neni 5 është absolutisht i qartë dhe në të njëjtën kohë, ne gjithmonë kemi thënë se nuk do të hyjmë kurrë në detaje se kur saktësisht do të aktivizohet Neni 5. Dhe pse jo? Sepse nuk duam t’i bëjmë kundërshtarët tanë më të mençur”, tha Rutte.