Kolo Muani: Juventus, këtu jam i lumtur

- Bota Sot

Kolo Muani: Juventus, këtu jam i lumtur

Në kohën kur Juven tusi është i përf shirë intensivisht në merkato për të gjetur pasuesin e Dushan Vlahoviçit dhe vazhdon flirtin me Xhonatan Dejvidin, në fushën e lojës bardhezinjtë duket se kanë gjetur një siguri të re: Randal Kolo Muani. Sulmuesi në pronësi të Parisit ka shkëlqyer që në debutim në Kupën e Botës për Klube, duke realizuar një dopietë ndaj Al-Ain dhe duke dhuruar një asist për Kenan Jildizin në sfidën kundër Kazablankës.

Lidhja me talentin turk është gjithnjë e më e fortë, si brenda ashtu edhe jashtë fushës, dhe këtë e konfirmon vetë Kolo Muani në një intervistë për “Tuttosport”. “Kenan është një fenomen.

Të luash me të, është si magji. Ka aftësi të jashtëzakonshme që i dallon veçanërisht në stërvitje. Është një lojtar i një tjetër niveli dhe një djalë i shkëlqyer. Shpresoj të fitojë trofe me Juventusin dhe të shkëlqejë edhe individualisht, ka gjithçka për t’ia dalë”.

E ARDHMJA- Performancat mbresëlënëse të francezit kanë bërë që ai të fitojë besimin e trajnerit Igor Tudor, duke kaluar për momentin në hierarki Vlahoviçin. Trajneri e vlerëson për lëvizshmërinë, aftësinë për të mos dhënë pika referimi në sulm dhe punën e palodhur për ekipin. Dëshira e tij është e qartë, ta mbajë Kolo Muanin në Torino edhe për sezonin e ardhshëm.

Klubi bardhezi po punon në këtë drejtim. Pavarësisht interesimit të Çelsit, bisedimet me PSGnë për një huazim të ri, këtë herë me detyrim blerjeje në shifrën 40-45 milionë euro, janë në vazhdim. Lojtari vetë ka shprehur hapur dëshirën për të qëndruar te Juventusi. “Nuk di shumë për këto lëvizje. Unë po përqendrohem te Kupa e Botës për Klube, që është një turne shumë i shpejtë. Pasi të përfundojë, do të shohim çfarë ndodh në merkato. Por te Juventusi jam i lumtur dhe ndihem mirë”.

NDESHJA ME SITIN- Në horizont është përplasja me Sitin e Pep Guardiolës, një ndeshje që do të vendosë kryesuesin e grupit. Kolo Muani është i motivuar për këtë sfidë. “Kundër Kazablankës bëmë një ndeshje të madhe, sidomos me dy lëvizjet brilante të Jildiz, që na dhanë avantazhin.

Edhe pse ata shënuan për 2-1, ne qëndruam të fokusuar dhe mbyllëm ndeshjen.

Tani na pret Siti, përballja e parë europiane për ne në këtë turne. Do të jetë një sfidë e bukur, që duhet ta përgatitim në mënyrën më të mirë për ta fituar”, tha Kolo Muani.



Read it all at Bota Sot