Interi pranë transferimit të radhës

- Bota Sot

Interi pranë transferimit të radhës

Interi është pranë finalizimit të një marrëveshjeje me Parmën për sulmuesin francez Ange-Yoan Bonny, në një operacion që pritet të mbyllet për 24 milionë euro, sipas raportimeve nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano.

Sulmuesi 21-vjeçar ka qenë prej muajsh në radarët e klubit zikaltër, por interesimi u shtua ndjeshëm pas ardhjes së Cristian Chivut—ish-trajner i Parmës—në stolin e Interit si pasues i Simone Inzaghit. Për të siguruar shërbimet e Bonny-t, drejtuesit e Interit janë detyruar të rrisin ofertën për shkak të konkurrencës nga skuadra gjermane Stuttgart, përcjellë kp.

Aktualisht, dy klubet janë shumë pranë akordit për një shumë fikse prej 24 milionë eurosh, duke u afruar kështu me kërkesën fillestare të Parmës prej 25 milionë eurosh. Më herët, Interi kishte propozuar një formulë me 22 milionë euro plus 2-3 milionë në formë bonusesh.

Ange-Yoan Bonny iu bashkua Parmës në verën e vitit 2021 nga skuadra franceze Châteauroux dhe ishte një element kyç në ngjitjen e ekipit në Serie A. Në sezonin që lamë pas, ai regjistroi 6 gola dhe 4 asistime në 37 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit italian, duke ndihmuar ekipin të siguronte mbijetesën në javën e fundit të kampionatit.

Interi e sheh Bonny-n si pasuesin ideal të Marcus Thuram në repartin ofensiv, meqenëse sulmuesit Marko Arnautovic, Joaquin Correa dhe Mehdi Taremi pritet të largohen gjatë merkatos së verës.



Read it all at Bota Sot