Nikolo Rovela është në qendër të vëmendjes së merkatos së Interit. Mesfushori i talentuar i Lacios dhe i kombëtares italiane është zgjedhja kryesore e drejtuesve zikaltër në rast se Hakan Çalhanoglu largohet nga skuadra, me një rikthim të mundshëm të turkut në atdhe që duket gjithnjë e më i afërt, edhe pse Gallatasaraj ende nuk ka bërë një ofertë konkrete.
Sipas “Il Messaggero”, Interi ka nisur hapat konkretë për të siguruar shërbimet e Rovelës, duke informuar presidentin e Lacios, Klaudio Lotito, përmes agjentëve të lojtarit, se është i gatshëm të ofrojë 40 milionë euro për kartonin e tij.
Edhe pse kjo mbetet një ofertë jozyrtare, ajo tregon qartë qëllimin serioz të klubit milanez për të siguruar shërbimet e 23-vjeçarit. Megjithatë, Interi përballet me një qëndrim të ashpër nga presidenti Lotito, i cili ka bërë të ditur se është i gatshëm ta lëshojë Rovelën vetëm nëse paguhet klauzola prej 50 milionë eurosh. “Ofrojnë 40? Nëse e duan, ekziston një klauzolë prej 50 milionësh, përndryshe nuk shes lojtarët më të mirë”, citohet të ketë thënë ai për të përditshmen romane.
Nga ana tjetër, agjenti i Rovelës, Bepe Riso, raportohet se ka nisur punën për ta bindur lojtarin të largohet nga Lacio, megjithëse ky i fundit është i lidhur fort emocionalisht me klubin. Largimi i tij mund të jetë zgjidhja që Lacio kërkon për të përmirësuar bilancin financiar, i cili aktualisht është i kufizuar nga disa tregues ekonomikë, si indeksi i likuiditetit dhe shkalla e borxhit. Pa të ardhura nga UEFA dhe me mungesë të burimeve të tjera të rëndësishme financiare, klubi bardhekaltër ka nevojë urgjente për likuiditet.
Shitja e Rovelës do të krijonte hapësirë për përforcime të reja dhe ndihmesë për trajnerin Mauricio Sari, i cili kërkon emra të rinj në skuadër. Një shkëmbim me Fratezin, i përfolur më herët, për momentin përjashtohet. Tani topi është te vetë lojtari. Vetëm një muaj më parë, Rovela shprehej publikisht: “Interesi i klubeve të mëdha më nderon, por unë jam lacial dhe dua të fitoj këtu”. Mbetet për t’u parë nëse ndjenjat do të mbizotërojnë mbi ambiciet dhe realitetin ekonomik të merkatos.