De Graafschap, klubi i njohur holandez që garon në Eerste Divisie (liga e dytë), ka konfirmuar nënshkrimin e kontratës së parë profesionale me talentin kosovar Nart Ahmeti.
19-vjeçari, pjesë e përfaqësueses së të rinjve të Kosovës, ka firmosur një kontratë dyvjeçare me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër.
Ahmeti, që prej tre vitesh është pjesë e akademisë së klubit holandez, ka bindur drejtuesit e De Graafschap me paraqitjet e tij në ekipet zinxhir, fillimisht me U19, dhe më pas me U21, ku ka pasur paraqitje të shpeshta gjatë sezonit të fundit.
“Nart është një lojtar shumë i talentuar nga akademia jonë, të cilin po e shpërblejmë për zhvillimin e tij të vazhdueshëm,” deklaroi drejtori teknik i klubit, Berry Powel.
“Ai mund të përshtatet në të gjitha pozitat e mesfushës dhe gjithashtu ndihet komod edhe në krahët e fushës.
Është një lojtar multifunksional dhe gjatë përgatitjeve do të ketë mundësinë të tregojë potencialin e tij me ekipin e parë.”
Ahmeti është vetëm një nga shumë të rinjtë kosovarë që po përfaqësojnë vendin jashtë kufijve dhe shembulli i tij dëshmon se puna, disiplina dhe besimi në vetvete vazhdojnë të hapin dyer të mëdha.