Ruud van Nistelrooy largohet nga Leicester City

- Bota Sot

Ruud van Nistelrooy largohet nga Leicester City

Klubi i Leicester City ka konfirmuar zyrtarisht ndarjen me trajnerin Ruud van Nistelrooy, pas një marrëveshjeje të arritur me mirëkuptim mes palëve. Lajmi vjen pas javësh spekulimesh, që pas rënies së klubit nga Premier League në fund të sezonit të kaluar.

Në deklaratën e publikuar të premten në mëngjes, klubi shkruan:

“Leicester City Football Club dhe Ruud van Nistelrooy kanë rënë dakord me mirëkuptim që kontrata e Ruud-it si trajner i ekipit të parë të përfundojë menjëherë.

Ruud ka udhëhequr klubin në një periudhë sfiduese. Që nga emërimi i tij në nëntor 2024, ai ka treguar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të qartë ndaj objektivave tona, përfshirë integrimin e disa lojtarëve premtues nga akademia në ambientin e ekipit të parë.

Ai largohet me respektin dhe falënderimet e të gjithëve në klub për përkushtimin dhe punën e tij, dhe me urimet tona më të mira për të ardhmen.”

Edhe vetë Van Nistelrooy ka dhënë një reagim personal pas largimit:

“Dua të falënderoj personalisht lojtarët, trajnerët, akademinë dhe gjithë stafin me të cilët kam punuar për profesionalizmin dhe përkushtimin gjatë kohës sime në klub. Po ashtu, falënderoj tifozët për mbështetjen e tyre dhe i uroj klubit fat në të ardhmen.”

Klubi njoftoi gjithashtu se përgatitjet për sezonin e ri në Championship do të vazhdojnë siç ishte planifikuar, me nisjen e fazës përgatitore më 30 qershor. Derisa të emërohet trajneri i ri, stafi aktual teknik do të udhëheqë stërvitjet dhe planifikimet.

Pas rënies nga Premier League, pasiguria ka përfshirë klubin dhe, ndonëse Van Nistelrooy kishte shprehur gatishmërinë për të qëndruar, mungesa e një vizioni të qartë nga drejtuesit ka bërë që largimi të ishte i pashmangshëm.



Read it all at Bota Sot