Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, komentoi sot mbi ardhjen e mundshme të Nico Williams në “Camp Nou”. Një operacion që ka ngjallur protesta nga Athletic Club, klub me të cilin luan talenti spanjoll.
Në fakt, drejtuesit baskë i kanë kërkuar La Liga të verifikojnë gjendjen financiare të Barçës, duke besuar se nuk ka mundësinë të paguajë klauzolën e përfundimit të kontratës së lojtarit spanjoll për shkak të problemeve me fair play-in financiar.
Laporta reagoi, ku sqaroi situatën: “Secili bën atë që mendon se është e përshtatshme. Ne po ndjekim udhëzimet e drejtorit tonë sportiv dhe trajnerit. Ne e respektojmë atë që bën Athletic dhe shpresojmë që edhe ata të respektojnë zgjedhjet tona“.
Duke folur për vështirësitë e hasura, presidenti i klubit katalanas shtoi: “Nuk po flas për persekutim, por për pengesa që duhen kapërcyer. Ne po punojmë për t’u përballur me to dhe për të arritur objektivat tona“.
“La Liga po bën punën e saj. Financat tona janë nën kontroll dhe ne respektojmë rregullat e Fair Play Financiar. Nëse lind një mundësi dhe ka një klauzolë për të paguar, ne jemi gati ta bëjmë atë“, tha Joan Laporta në lidhje me Nico Williams.
“Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Ne duam që të gjithë të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ne i bëjmë gjërat në mënyrë korrekte dhe sipas rregullave“, përfundoi Laporta.