Kristjan Asllani ishte sërish titullar në radhët e Interit në fitoren 2-0 ndaj River Plejt, duke konfirmuar besimin e stafit teknik në mesfushorin shqiptar.Ai ka qenë titullar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve dhe ka dhënë një tjetër paraqitje të qëndrueshme, duke rrezikuar me një goditje nga jashtë zonës në pjesën e parë të sfidës. Me këtë fitore, Interi siguroi kalimin në fazën tjetër të turneut veror, dhe Asllani nuk e fshehu kënaqësinë për këtë arritje.
“Objektivi ynë ishte që të mos pësonim gol dhe në momentin që mbyllëm ndeshjen pa pësuar, them se ia kemi arritur qëllimit. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por kjo sfidë u kthye në një betejë. Ishte një ndeshje shumë e ngarkuar.
Në fillim ishim pak në vështirësi, por më pas gjithçka u zgjidh dhe ne arritëm të dominojmë. Jemi të lumtur që vazhdojmë më tej”, tha mesfushori i Kombëtares shqiptare pas ndeshjes.
Forma e mirë që po kalon Asllani dhe aktivizimi i rregullt në radhët e zikaltërve, janë sinjale pozitive jo vetëm për të ardhmen e tij tek Interi, por edhe për Kombëtaren shqiptare që llogarit shumë te potenciali i tij në mesin e fushës.