Marc-André ter Stegen ka vendosur të mos largohet menjëherë nga Barcelona këtë verë, pavarësisht mundësive që i janë ofruar.
Barcelona është e hapur ta lërë të largohet në javët e ardhshme, në kuadër të ndryshimeve të mëdha që po bën trajneri Hansi Flick. Klubi ka siguruar tashmë transferimin e Joan Garcia nga Espanyoli, i cili pritet të marrë rolin e titullarit menjëherë.
Wojciech Szczesny, portieri veteran polak, është i gatshëm të nënshkruajë një kontratë deri në vitin 2027 dhe të pranojë rolin e portierit të dytë, pas Garcias.
Arsyeja kryesore pse Barça kërkon largimin e Ter Stegen është paga e tij e lartë. Nëse qëndron, gjermani 33-vjeçar pritet të ndarë rolin e zëvendësuesit me Szczesnyn.
Për ta larguar, klubi duhet të marrë një ofertë bindëse, dhe thuhet se Premier League është një mundësi. Chelsea, Manchester United dhe ndoshta Manchester City janë në kërkim të një portieri të ri, por deri tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë konkrete nga Anglia.
Barcelona është e gatshme të pranojë edhe një çmim më të ulët, meqë shpenzimi kryesor është paga e lartë e portierit.
Sipas “Marca”, AS Monaco është klubi i parë që ka bërë një ofertë zyrtare për Ter Stegen, si dhe për Ansu Fatin, me një huazim dhe të drejtë blerjeje në fund të sezonit 2025/26.
Monaco është optimist për transferimin e Fati, por Ter Stegen ka refuzuar për momentin, edhe pse do të ishte titullar në një skuadër që luan në Ligën e Kampionëve.
Portieri gjerman dëshiron të flasë me Hansi Flick përpara se të marrë një vendim për të ardhmen, por një ofertë e re nga Monaco ose klube të tjera mund të rishqyrtohet, nëse ai inkurajohet të largohet nga “Camp Nou”.