Nga hije në protagonistë të Botërorit për Klube

- Bota Sot

Nga hije në protagonistë të Botërorit për Klube

Faza e grupeve e Botërorit të Klubeve ka shërbyer për shumë gjëra.

Për të konfirmuar ndjesitë, për të mbijetuar ndaj mungesave dhe, mbi të gjitha, për të kuptuar pak më mirë skakierën taktike të Xabi Alonsos.

Trajneri ka formësuar në ecje e sipër një ekip që mbërriti i kushtëzuar nga mungesat, por u përgjigj me vendosmëri: 3 fitore, 7 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.

Në mes të këtij starti të mirë, disa emra kanë dalë veçanërisht të përforcuar. Jo vetëm për paraqitjen e tyre, por edhe hapësirën e re që iu ka dhënë trajneri bask.

Sepse, kur një trajner vjen me urgjenca konkurruese dhe pjesë që duhen bashkuar, hapësira për improvizim është minimale. Megjithatë, Xabi ka arritur diçka të vlefshme: të zbulojë talente, të ripërcaktojë pozicione dhe të aktivizojë futbollistë që ishin në plan të dytë. Nuk ka qenë një proces i fjalimeve të mëdha, por i vendimeve kirurgjikale. Një lëvizje taktike këtu, një besim i rinovuar atje. Dhe në këtë skenar të ri, disa lojtarë kanë kaluar nga roli dytësor në pjesë që përshtaten natyrshëm në skemë. Jo me dekret, por nga logjika e thjeshtë meritokratike.

Fytyra e re e Güler
Evolucioni i Arda Güler në këtë Kupë Bote për Klube nuk është matur me gola apo driblime, por me mirëkuptim. Në një skenë që kërkonte rend dhe pjekuri, i riu turk ka bërë një hap përpara, duke zënë një zonë për të cilën ishte i destinuar, mesfusha qendrore. Xabi Alonso e lëvizi në ndeshjen e dytë kundër Pachuca dhe e vendosi më pranë bazës së aksionit. Ishte një “deklaratë qëllimi” që përfundoi me gol. Ka lojtarë që e bëjnë lojën më të bukur dhe të tjerë që e gjallërojnë atë. Arda tregoi se mund t’i bëjë të dyja.

Nuk ishte rastësi. “Ka kontroll të mirë dhe di të qëndrojë afër qendërmbrojtësve”, – tha Xabi në konferencë.

 Nga ai pozicion, Arda e preku më shumë se kurrë topin, zgjodhi mirë ritmet dhe solli qetësi në një ekip që ndonjëherë nxitohet nga natyra. Nuk i duheshin zbukurime: luajti me dy prekje, bashkëpunoi mirë me Valverde e Tchouaméni dhe tregoi se, kur roli e kërkon, mund të jetë më shumë busull sesa shkëndijë. Larg krahut, ku zakonisht niset për të gjuajtur, tregoi një profil më “cerebral”. Një Arda tjetër, ndoshta më i dobishëm sesa i hijshëm, por më i nevojshëm.



Read it all at Bota Sot