Juventusi kërkon të “riparojë” mbrojtjen

- Bota Sot

Juventusi kërkon të “riparojë” mbrojtjen

Humbja e thellë 5-2 ndaj Manchester City-t në Botërorin për Klube ka ndezur alarmin në shtëpinë e Juventusit, sidomos për sa i përket repartit mbrojtës.

Pa pritjet vendimtare të portierit Di Gregorio, rezultati do të kishte qenë edhe më i rëndë.

Edhe pse vëmendja kryesore e merkatos mbetet te afrimi i Jonathan David dhe Jadon Sancho për fazën ofensive, tani është e qartë se edhe mbrojtja ka nevojë për përforcime urgjente.

Formacioni mbrojtës me Kalulu, Savona dhe Kelly dështoi plotësisht, me gabime të mëdha individuale si autogoli i Kalulu dhe vendosje të dobët taktike. As hyrja e Gattit nuk përmirësoi situatën.

Dështimi i plotë në prapavijë i komplikon më tej planet e trajnerit Igor Tudor, i cili nuk mund të llogarisë as te Gleison Bremer, ende në rikuperim nga një dëmtim i rëndë në ligamentin e gjurit të majtë.

Edhe pse i grumbulluar për turneun, vetë trajneri ka pranuar se mbrojtësi brazilian do të jetë gati vetëm për fillimin e sezonit në Serie A.

Në këtë situatë, Juventusi kërkon të afrojë të paktën një, në mos dy mbrojtës të rinj. Ëndrra e Tudor është Leonardo Balerdi nga Marseille, një lojtar që e njeh mirë nga koha e kaluar në Francë. Megjithatë, klubi francez nuk është i gatshëm ta lëshojë lehtë, përveçse nëse finalizohet transferimi i Ndicka nga Roma.

Në listën e drejtorit Comolli është edhe Giovanni Leoni, talent 18-vjeçar i Parmës, për të cilin kërkohen plot 30 milionë euro, një shifër e lartë për një lojtar ende pa shumë përvojë. Leoni pëlqehet gjithashtu nga Milan dhe Inter, çka e bën garën më të vështirë.

Një tjetër pistë aktive është ajo e Nayef Aguerd, mbrojtës i kombëtares së Marokut dhe pjesë e West Ham. Për të ulur koston e operacionit, Juventusi është i gatshëm të përfshijë në marrëveshje Daniele Ruganin, i rikthyer nga huazimi me Ajax.



Read it all at Bota Sot