Policia serbe ka ndërhyrë kundër protestuesve në qendër të Beogradit, pasi studentët shpallën fundin e protestës së tyre paqësore, e cila mblodhi dhjetëra mijëra njerëz.
Përpara protestës në Beograd, të cilën e thirri lëvizja studentore nga ora 6 deri në 9 të mbrëmjes, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se pret dhunë, duke vlerësuar se është "e pamundur që dikush të investojë një sasi të madhe parash kundër një vendi pa provuar të paktën diçka".
Kordonë të policisë filluan të vendosen rreth ndërtesave qeveritare një orë para përfundimit zyrtar të protestës studentore.
Sipas raportimeve të medias serbe ka të lënduar dhe policia përdori edhe gaz lotsjellës.
Kryeprokurori Publik i Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, deklaroi sonte se të gjithë sulmuesit e policisë do të identifikohen dhe ndiqen penalisht, sipas faqes së internetit të Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik.
"Autoritetet kompetente i kanë paralajmëruar vazhdimisht pjesëmarrësit e protestës dhe qytetarët e tjerë se dhuna nuk do të tolerohet, as sulmet ndaj institucioneve shtetërore, përfaqësuesve të tyre dhe qytetarëve të tjerë", tha Stefanoviq.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos përdorin dhunë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për tubim paqësor në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Arkivi i tubimeve publike, një organizatë që numëron pjesëmarrësit në tubimet publike, njoftoi në rrjetin iks, sipas vlerësimeve fillestare, rreth 140 mijë qytetarë u mblodhën në protestën paqësore.
Protestat masive antiqeveritare të udhëhequra nga studentët kanë filluar pas tragjedisë në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku nga shembja e një tende hekurudhore mbetën të vdekur gjashtëmbëdhjetë persona, transmeton KosovaPress.
Studentët kanë kërkuar nga Vuçiq shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por ky i fundit ka hedhur poshtë kërkesën e tyre.